SPORT, 6 Janar 2022, 17:32

Nedim Bajrami i shënon Strakoshës, Lacio dhe Empoli ndahen në barazim

Nedim Bajrami i shënon Strakoshës, Lacio dhe Empoli ndahen në

Nedim Bajrami shënon golin e radhës me Empolin. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare zhbllokoi takimin kundër Lacios (3-3), që u luat në “Olimpico”, që në minutën e 6-të me 11-metërsh.

Një ndërhyrje e gabuar e portierit të bardhekaltërve, Thomas Strakosha,  e detyroi kryesorin të drejtonte gishtin nga pika e bardhë e penalltisë.

Ky ishte goli i pestë për Bajramin në Serinë A, teksa ka dhënë edhe tre asiste. Emri i 22-vjeçari po kalohet shumë në këtë merkato janari, pasi skuadra të ndryshme në Serinë, si Sasuolo dhe Fiorentina, janë interesuar për shërbimet tij.

Sa i përket kronikës së ndeshjes, nuk pati fitues në këtë përballje të zhvilluar në Romë. Edhe pse Empoli kaloi në epërsi të dyfishtë brenda tetë minutave lojë (pas Bajramit shënoi edhe Zurkovski) gjithçka u mbyll në baraspeshë 3-3. Lazio barazoi fillimisht 2-2 falë golave të Immobiles dhe Milinkovic-Savicit, por toskanët morën avantazhin në 2-3 me Di Francescon. Gjithsesi në minutën e tretë shtesë barazoi Milinkovic-Savic.

Në fushë luanin katër shqiptarë me Strakoshën dhe Hysajn që aktivizoheshin për vendasit ndërsa Bajrami dhe Ismajli për miqtë.