SPORT, 6 Janar 2022, 11:05

Alegri blindon Moratën para Napolit: Qëndron dhe pres gola

Alegri blindon Moratën para Napolit: Qëndron dhe pres gola

Sikur të mos mjaftonte tensioni i supersfidës Juventus-Napoli, atmosfera është bërë akoma më surreale pas kaosit që shkaktoi shtimi i infektimeve me COVID-19 në radhët e “Axurrëve”, që rrezikoi mbajtjen e sfidës deri në momentin e fundit.

Pavarësisht kësaj, Masimiliano Alegri është paraqitur në konferencën e parë për shtyp ditën e djeshme për të nisur këtë fazë të dytë të kampionatit në një moment delikat.

“Është një situatë emergjente dhe në situata të tilla duhen gjetur zgjidhjet e duhura. Nuk jam unë ai që duhet të vendos dhe ndaj mendimi im personal nuk vlen fare.

Janë organet kompetente ato që duhet të japin vendimet mbi bazën e rregullave që duhen respektuar. Ne duhet vetëm të stërvitemi dhe të përgatitemi dhe atë po bëjmë”, nisi kështu trajneri bardhezi konferencën duke u ndalur më pas edhe tek individët, për t’i dhënë një mesazh të rëndësishëm gjithë ambientit bardhezi që pikëpyetjen e momentit ka Moratën dhe largimin e mundshëm të tij.

MUNGESAT – “Ne na mungojnë 6 lojtarë: Kielini është pozitiv, Bonuçi do të kapërcejë Napolin dhe Romën, pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë për finalen me Interin. Danilo kthehet javën tjetër, kurse Pelegrini e Kaio Zhorzh nuk do të jenë të disponueshëm për Napolin pasi kanë qenë me grip. Ramsi ka bërë stërvitje të personalizuar dhe është kthyer sot (dje), megjithatë është një lojtar në largim e sipër. Kemi edhe Arturin për të cilin do të presim përgjigjen e tamponit, por ne jemi përgatitur në çfarëdolloj kushtesh dhe na ka bërë mirë pushimi i festave pas kaq shumë ngarkese”.

MORATA – “Morata nuk do të largohet, kam folur vetë me të dhe i kam thënë që nuk e lejoj largimin e tij. Alvaro ka bërë rreth 20 gola sezonin e shkuar dhe këtë vit ka shënuar 7 të tillë, madje pa penallti ose goditje standarde. Është një lojtar që ka shumë rendiment edhe pse ndonjëherë në futboll të ngjiten disa etiketime të caktuara dhe duket sikur Moratës i mungon gjithmonë diçka, që nuk është e vërtetë”.

DIBALA DHE KIEZA – “Kieza është shumë mirë, por më duhet të bëj një zgjedhje mes tij dhe Dibalës, duke parë që takime të shumta na presin dhe të dy sapo janë rikthyer. Si titullar do të zbresë vetëm njëri nga ata. Jam i bindur që të dy do të kenë një sezon shumë të mirë në vazhdim dhe do të jenë 4 muaj shumë të rëndësishëm për ta dhe për të gjithë ne”.

FORMACIONI – “Ende nuk e kam vendosur formacionin, por për sa i përket mbrojtjes, me Napolin do të luajnë dy mes Aleks Sandros, Kuadrados e De Shilios, ndërsa në mesfushë dy prej Rabiosë, Mekenit dhe Bentankurit”.

INTERI DHE OBJEKTIVAT – “Interi është dukshëm skuadra për t’u mundur dhe favoritja kryesore për titullin. Janë padronë të fatit të tyre dhe vetëm ata mund ta humbasin Skudeton. Ne duhet të shikojmë rrugëtimin tonë dhe përpiqemi të rikuperojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur për të siguruar vendin e katërt. Duhet të gjejmë shpejtësinë që na ka munguar në fillim dhe të kthehemi në lojën tonë pasi gjetëm shpirtin e Juventusit. E gjitha kjo do të na lejojë të shkojmë deri në fund të kampionatit me objektivin e vendit të katërt të realizuar”.