SPORT, 20 Nëntor 2021, 17:03

Murinjo uron në mënyrë speciale Shevçenkon: Shpresoj të humbasë në ndeshjen e parë!

Murinjo uron në mënyrë speciale Shevçenkon: Shpresoj

Mbrëmjen e nesërme, Roma do të përballet me Xhenoan për javën e 13-të të Serisë A.

Kjo do të jetë një sfidë mjaft delikatë për verdhekuqtë pasi fitorja për skuadrën e Murinjos është detyrim. Por jo gjithçka pritet të shkojë vaj për kryeqytetasit, pasi në stolin e Xhenoas do të debutojë si trajner legjenda ukrainase e futbollit Andri Shevçenko.

Ish-milansti nënshkroi para pak javësh me klubin xhenovez dhe ndaj Murinjos do të ketë sfidën e parë si trajner në Serinë A. Në konferencën për shtyp prag ndeshjes së nesërme, Murinjo ka sjellë ndërmend kujtimet që ka me rivalin në bankinë dukë bërë dhe një urim special.

“Hera e parë që e mbaj mend duke luajtur ishte në një ndeshje për Ligën e Kampionëve ndërmjet PSG-Dinamo Kiev dhe unë isha te Barcelona si analist. Më pas ai shkroi historinë, fitoi “Topin e Artë”, fitoi Ligën e Kampionëve dhe shumë trofe të tjerë në karrierën e tij. Si trajner ka eksperiencën e parë në një klub, por ka bërë mjaft mirë te Ukraina. I uroj të humbasë ndeshjen e parë dhe më pas të fitojë sa më shumë”, ishin fjalët e Murinjos që janë bërë virale në rrjetet sociale.