SPORT, 20 Nëntor 2021, 14:15

Kalendar “ferri”/ 4 ndeshje në 11 ditë, Juventusi në fushë çdo… 66 orë

Kalendar “ferri”/ 4 ndeshje në 11 ditë, Juventusi në

Nga Lacio pasditen e sotme në orën 18:00, deri te Salernitana në mesjavën e 30 nëntorit. Rikthimi i Juves në fushë pas pauzës së kombëtareve nuk kishte se si të ishte më i komplikuar dhe impenjativ se kaq.

Skuadra e Alegrit do të luajë një fetë të mirë dhe të rëndësishme në kampionat, për të provuar dhe afruar vendit të katërt, me dy rivale direkte për këtë objektiv minimal dhe të detyrueshëm, por në të njëjtën kohë kërkon të blindojë edhe kryesimin në Europë, i cili do t’i lejonte një short më të lehtë në 1/8-at e finaleve.

Nëse ndeshjet duhen marrë një e nga një, në këtë rast është disi e vështirë që të mos bësh llogari me menaxhimin e lojtarëve, pasi ndërsa sfida me Lacion është një takim që duhet fituar me çdo kusht, të martën në Londër është po aq decizive.

Për të mos thënë pastaj dueli në Torino me Atalantën e rrezikshme të shtunën tjetër dhe për ta mbyllur në transfertën e Salernos, përpara muajit të festave.

Por nëse ky duel i fundit është ai që tremb më pak, të luash 4 ndeshje në 11 ditë është një çmenduri, e përkthyer ndryshe do të thotë se Juventusi do të jetë në fushë mesatarisht çdo dy ditë e 18 orë.

Tani i takon trajnerit Masimiliano Alegri që të nisë të shpikë ndonjë magji apo një strategji të paparë ndonjëherë, duke menduar edhe se disa lojtarë të rëndësishëm, si kapiteni Xhorxho Kielini mbi të gjithë të tjerët, nuk është në dispozicion dhe nuk ka një datë për rikuperimin e tij.