SPORT, 1 Maj 2023, 14:30

Lautaro Martinez: Një fitore karakteri ndaj Lacios, i’u shkojmë në fund të gjitha kompeticioneve

Lautaro Martinez: Një fitore karakteri ndaj Lacios, i’u shkojmë

Një dopietë që mungonte që prej janarit dhe që përveç fitores solli edhe disa rekorde personale, ishte ajo e Lautaro Martinezit ndaj Lacios.

Argjentinasi arriti të shkonte përtej 15 golave (17 aktualisht) në Serinë A për të tretin vit radhazi (i treti në historinë zikaltër në 55 vitet e fundit pas Vierit e Ikardit) duke u bërë edhe i vetmi lojtar i këtij kampionati që e ka arritur këtë në këto tri sezone. Përveç kësaj, dygolëshi e dërgoi në 75 gola me fanellën zikaltër në Serinë A sulmuesin, që tashmë është në vendin e 10 të golashënuesve më të mirë të Interit në këtë kompeticion, një rekord që pritet vetëm të përmirësohet.

“Jam këtu prej pesë sezonesh dhe vetëm jam rritur gjatë kësaj kohe, kështu që jam mësuar edhe me kritikat dhe përpiqem të bëj më të mirën prej tyre. Janë pjesë e punës sonë, por unë marr gjithmonë përgjegjësitë e mia dhe synimi im i vetëm është të ndihmoj skuadrën”, kanë qenë fjalët e para të 25-vjeçarit në përfundim të ndeshjes.

Numri 10 i zikaltërve foli para mikrofonave duke komentuar edhe fitoren dhe rëndësinë e saj, pa lënë mënjanë dyshen me Lukakun dhe mendimin për gjysmëfinalen ndaj Milanit në Champions League.

NDESHJA DHE TIFOZËT “Interi jeton. Kjo fitore do të thotë shumë. Ishin tri pikë me peshë dhe do të thotë që Interi ka jo vetëm lojtarë me cilësi, por edhe me shumë karakter. E kemi treguar edhe sot (dje) dhe sigurisht që tri pikët janë një mesazh për skuadrën, por edhe për tifozët, që kanë qenë edhe këtë herë lojtari ynë i 12-të. E kanë treguar dashurinë për fanellën dhe ne jemi shumë të lumtur që përmbysëm një kundërshtar të fortë dhe të vështirë si Lacio. Ka qenë shumë e bukur, kemi nevojë për të gjithë, për rezultate dhe për pikë”.

RRUGËTIMI “A besojmë te mundësia për t’u shkuar në fund të gjithë kompeticioneve? Besojmë shumë. Skuadra ka emra të rëndësishëm, lojtarë që po rigjejnë formën në një moment kyç të sezonit. Jemi në finale të Kupës së Italisë, në gjysmëfinalen e Champions League dhe në garë për vendin e katërt. Do të lëmë gjithçka që kemi për ta mbyllur në katër vendet e para”.

“LULA” “Lukaku më mirë pas hyrjes sime? Gjendemi mirë me Romelun, por e rëndësishme është që ajo që bëjmë ne ndihmon skuadrën. Mjafton që të gjithë të japim maksimumin për të mbërritur objektivat tona”.