SPORT, 21 Mars 2023, 11:31

Kërkohet nga Bajerni dhe Mançester Junajtid, ja çmimi që klubi anglez vendos për yllin e sulmit

Kërkohet nga Bajerni dhe Mançester Junajtid, ja çmimi që

Totenhemi do të kërkojë 100 milionë paund kesh të paguara menjëherë në rast se do të shesë Herri Kejnin në merkaton e kësaj vere. Mançester Junajtidi dhe Bajerni i Mynihut janë përfolur si dy destinacione të mundshme të kapitenit të Anglisë sezonin e ardhshëm, por “spërsat” nuk dëshirojnë që ta transferojnë bomberin më të mirë të tyre te një klub rival.

Klubi shpreson që të rinovojë kontratën me 29- vjeçarin, e cila skadon në vitin 2024-ën. Por në rast se bisedimet do të dështojnë, “The Times” ka zbuluar planin e Totenhemit.

Dhe ai është që ta shesin yllin e skuadrës për minimalisht 100 milionë paund këtë verë dhe e kërkojnë një shifër të tillë kesh, në vetëm një pagesë, pra jo me këste. Në vitin 2021, Totenhemi refuzoi një ofertë prej 75 milionë paundësh, e cila bashkë me bonuset shkonte në 100 milionë paund.

Përveç Junajtidit dhe Bajernit, edhe Reali i Madridit është i interesuar për shërbimet e golashënuesit më të mirë të historisë së kombëtares angleze.

Por “spërsat” shpresojnë ende që Kejn të qëndrojë me ta dhe të thyejë rekordin e Alan Shirerit (260 gola në Premier Ligë), ndërsa sulmuesi është aktualisht në kuotën e 204 golave.

Kejn është gjithashtu golashënuesi më i mirë i historisë së Totenhemit (271 gola), por ende nuk e ka fituar trofeun e parë me klubin dhe kjo është një nga pengjet që mund të sjellë largimin e tij nga klubi.