SPORT, 19 Mars 2023, 14:30

Laporta: Po e kruani me Barçën, do t’u tregojmë vendin

Laporta: Po e kruani me Barçën, do t’u tregojmë vendin

Mediat spanjolle vazhdojnë të nxjerrin të “treg” fakte dhe shifra të ndryshme të pagesave që klubi i Barcelonë s’ka bërë për kompaninë e drejtuar nga ish-shefi i gjyqtarëve, Hoze Maria Enrikez Negreira.

Dje ato kanë vijuar me të tjera publikime, duke nxjerrë dhe shifrat që vetë numri një aktual i klubit, Joan Laporta, i ka bërë djalit të Negreirës. Bëhet fjalë për 750 mijë euro që Laporta i ka paguar atij, pagesa që duket se komprometojnë dhe Laportën në këtë histori. Publikimet më të fundit në mediat spanjolle kanë sjellë dhe reagimin e ashpër të presidenti të Barcelonës. Laporta ka shfrytëzuar rrjetet sociale për t’i bërë një kërcënim të hapur të gjitha atyre që ai i ka etiketuar si “komplotistë” ndaj Barçës.

“Të dashur tifozë të Barcelonës, të dielën na pret një ndeshje e madhe kundër Realit të Madridit. Do t’ju ftoja të vinit në stadium dhe të mbështesni skuadrën më fort se kurrë. Kjo ndeshje është një mundësi mjaft e mirë për ne për të na afruar edhe më shumë me një nga objektivat madhorë që i kemi vënë vetes në këtë sezon.

Kjo ka qenë një periudhë delikate për ne. Prej javësh po vuajmë në kurriz një fushatë denigruese, që ka për objektiv të dëmtojë klubin tonë dhe të marrë kontrollin e Barcelonës. Ne po përgatitemi për gjithçka, do të shpjegojmë gjithçka në kohën e duhur, do t’i tregojmë të gjithë tifozëve tanë se kush qëndron prapa këtij orkestrimi të fëlliqur. Ta kenë të qartë të gjithë, që nuk duhet ta kruajnë me Barcelonën.

Mos kini mëdyshje se ne do të mbrohemi dhe do të sulmojmë po të jetë nevoja. Por tani fokusi duhet të jetë te ndeshja kundër Realit. Të mbështesim sa më fort ekipin dhe trajnerin tonë, që të fitojmë këtë takim”, ka thënë Laporta.

Një mesazh i fortë, ndoshta më i forti i presidentit të katalanasve pas më shumë se një muaji kur ka plasur skandali i pagesave për ish-shefin e gjyqtarëve për periudhën 2001-2018.