SPORT, 20 Mars 2023, 12:38

Te “Zonja” shkëlqejnë, zikaltërit nuk bindin. Mësoni notat e lojtarëve në sfidën Inter-Juventus

Te “Zonja” shkëlqejnë, zikaltërit nuk bindin.

Juventusi mundi në kampionat Interin me rezultatin 0-1 në “San Siro”. “Panorama Sport” sjell notat e lojtarëve të dyja skuadrave për këtë takim.

ONANA 5.5 – I vendosur keq në diagonalen e Kostiçit, që zhbllokon ndeshjen, bën një gabim në lexim, i cili në fund ndikon të gjithë ndeshjen.

DARMIAN 6 – Zoti “besueshmëri” nuk gabon, edhe pse paraqitja monstruoze që pati ndaj Portos është larg. I duhet të rregullojë edhe disa gabime të Dumfrisit në korsinë e tij (nga 80′ Korrea – pa notë).

DE VRAJ 6.5 – Në një ndeshje në të cilën duhet të hiqte ndryshkun, e bën në mënyrën e duhur. Ia mbyll hapësirat Valhoviçit dhe bën edhe një shpëtim vendimtar në një prej shumë goditjeve të Kostiçit.

AÇERBI 6 – Krahasuar me Bastonin, diçka i mungon kur bëhet fjalë për ofensivën, por në prapavijë përjeton një mbrëmje të qetë.

DUMFRIS 5 – Një tjetër mbrëmje ku has shumë vështirësi. Kostiç bën çfarë të dojë në krahun e tij, ai është vetëm spektator, “asi” në rastin e golit (nga 83′ Belanova – pa notë).

BARELA 6.5 – Më i rrezikshmi i skuadrës së tij në nisje të ndeshjes, pastaj merr një karton të verdhë që është specialiteti i tij në ndeshje të tilla. Më i miri në fushë për sa kohë është aty, ndoshta arsyeja pse nuk e pret mirë zëvendësimin (nga 63′ Mikhitarian 5.5 – Pushimi i tij nuk i shërbeu Interit, ashtu si nuk i shërbeu aktivizimi në pjesën e dytë).

BROZOVIÇ 5 – Rikthehet në regji, por më shumë se të diktojë kohët e lojës duket sikur është gjithmonë duke ecur në fushë.

ÇALHANOGLU 5.5 – Shumë, shumë gabime teknike, si në kontroll, ashtu edhe në mbështetjen e shokëve të skuadrës.

DIMARKO 5.5 – Krahasuar me kolegun e tij në anën tjetër, të paktën ai përpiqet, edhe pse duhet thënë që në krahun e tij nuk i duhet të ndalë një si Kostiç (nga 63′ D’Ambrozio 5.5 – Përfundon një mbrëmje anonime me kartonin e kuq).

LUKAKU 6 – Për një pjesë të mirë të pjesës së parë duket se është rikthyer i vërteti, me vrapime, dyluftime dhe pasime të shkëlqyera për shokët. Bie me kalimin e minutave (nga 80′ Xheko – pa notë).

LAUTARO 5 – Fotografia e mbrëmjes është ai i ulur në gjunjë për të mos rrezikuar të ndalojë goditjen e Brozoviçit, ashtu si pak minuta më parë me Çalhën. Derbi i Italisë vazhdon të mos e shohë protagonist.

TRAJNERI INZAGI 5 – Nga lavdia e Portos te hiri i Milanos, protestat kundër arbitrit nuk mjaftojnë për të fshehur atë mbrëmje të komplikuar. Pikëpyetje ngjall zëvendësimi i Barelës, ashtu si zëvendësimet e vona dhe në fund duket se ndeshjen e humb ai.

SHEZNI 6 – Barela ngroh dorezat e tij në fillim, pastaj përgjigjet gjithmonë i pranishëm, edhe pse Interi në fund nuk e rrezikon më.

GATI 7 – U rikthye titullar pas dy muajsh dhe bën një superndeshje. I vëmendshëm, nuk bën gabime dhe shpëton çdo krosim të ziklatërve.

BREMER 6.5 – Lautaro dhe Lukaku nuk godasin kurrë në portë, përkundrazi luajnë shumë pak topa në zonën e rreptësisë bardhezi. Falë edhe brazilianit, i palëkundshëm dhe efektiv.

DANILO 6 – Edhe atij nuk ia bëjnë të vështirë në prapavijë. Dumfris thumbon, por nuk sulmon dhe braziliani e Bremer nuk gabojnë.

DE SHILJO 6 – Administrim i zakonshëm përgjatë korsisë së djathtë, disa gabime, por i kujdesshëm në sulmet e Dimarkos, edhe pse nuk shfaqet shumë në ofensivë (nga 75′ Kuadrado – pa notë).

FAXHIOLI 7 – I domosdoshëm për mesfushën e Alegrit, luan tashmë si veteran, me shumë dinamizëm dhe shpirt konkurrues. Nuk e ndien peshën e ndeshjes, vrapon nga minuta e parë deri në minutën e fundit.

LOKATELI 6.5 – Menaxhon gjithë trafikun e mesfushës siç duhet dhe shkon edhe pranë golit në pjesën e dytë.

RABIO 7 – Ai dhe Kostiç janë lojtarët më në formë të Juventusit. Ndërton dhe shërben asistin për golin dhe është gjithmonë në qendër të aksioneve bardhezi.

KOSTIÇ 7 – I mungonte vetëm goli në një muaj me paraqitje të shkëlqyera dhe asiste. Kirurgjikal në goditjen e golit dhe më pas performanca e zakonshme fantastike me sprinte dhe krosime.

SOULE 6 – Vetëm 20 vjeç, por duket pronar i “San Siro”-s. Bën mirë edhe pa top dhe është gjithmonë i pari që përpiqet të ndalë qarkullimin e Brozoviçit (nga 66′ Kieza 6 – Hyri menjëherë në lojë, shumë xhiro në fushë të hapur, por më pas ndalet nga problemi fizik (nga 84′ Paredes – pa notë).

VLAHOVIÇ 6 – Protagonist në aksionin e golit të avantazhit, në një ndeshje sakrifice për qendërsulmuesin serb. Betejë me De Vrajin dhe punë e shumtë në krah, por në fund e mbyll pa goditur asnjëherë portën e Onanës.

TRAJNERI ALEGRI 7 – E përgatit mirë ndeshjen duke goditur Interin me kundërsulme. E gjen golin, del mirë nga situatat e ndërlikuara dhe gjen një mbrojtje të padepërtueshme. Të gjitha zgjedhjet ishin të drejta, një fitore me peshë dhe e merituar me shpresën e 19 prillit.