SPORT, 9 Mars 2023, 09:00

Fanellat e Kombëtares, kuqezinjtë dy vite pa ndryshuar model

Fanellat e Kombëtares, kuqezinjtë dy vite pa ndryshuar model

Zakonisht kur nis një fushatë e re kualifikuese, kombëtaret në botë prezantojnë edhe fanellat e reja, me të cilat do të luajnë. Shqipëria përpara ka kualifikueset e Europianit, që do të nisin në më pak se tri javë, por ende nuk ka prezantuar një uniformë me të cilën do të zbresë në fushë.

Fanella aktuale u prezantua në qershor të 2021-shit dhe me atë model ka luajtur në kualifikueset e Botërorit dhe në Ligën e Kombeve. Nuk dihet ende nëse kuqezinjtë do të zbresin në fushë me një fanellë me dizajn të ri apo me atë aktual.

Kujtojmë që kompania e veshjeve sportive “Macron” është sponsor teknik i Kombëtares, me një kontratë 6-vjeçare, që u firmos në qershor të vitit të kaluar, e cila do t’i sjellë gjatë kësaj periudhe 4 milionë euro të ardhura FSHF-së.

Shpresojmë që bashkë me to, të vijë edhe një uniformë e re për kuqezinjtë, duke qenë se në vëmendje është edhe projekti “Uniforma Ime”.

Gjatë dy viteve të fundit, ekipi përfaqësues ka luajtur me tri ngjyra fanellash, atë të kuqe, të bardhë dhe të zezë.

Mbetet për t’u parë nëse me nisjen e këtyre eliminatoreve, Kombëtaren do ta shohim me një model tjetër fanelle apo kjo gjë nuk do të ndryshojë edhe pas dy vitesh.