SPORT, 8 Mars 2023, 19:46

Inzaghi drejt largimit nga Interi, Marotta studion dy alternativa të mëdha

Inzaghi drejt largimit nga Interi, Marotta studion dy alternativa të

Simone Inzaghi drejt largimit nga Interi. Mediat italiane raportojnë se drejtuesit zikaltër janë të pakënaqur me trajnerin dhe deri tani nuk kanë bërë ndërmend t’i ofrojnë zgjatjen e kontratës, që i skadon në verën e 2024-ës.

Për të shkuar edhe më tej, Marotta dhe Ausilio kanë nisur të planifikojnë të ardhmen pa Inzaghin, teksa kanë piketuar dy emra të mëdhenj për stolin zikaltër.

I pari është gjermani Thomas Tuchel, i papunë që prej vjeshtës së kaluar, kur u shkarkua nga Chelsea. Gjermani është ende në pritje të ofertave dhe një eksperiencë në Serinë A, do t’i interesonte, pasi bëri mirë në Gjermani, Francë e Angli.

Tuchel shihet me sy të mirë edhe për faktin që përdor skemën me tre në mbrojtje, e cila aplikohet te Interi prej 4 sezonesh, megjithatë problem mbeten pretendimet e tij ekonomike.

Interi nuk mund të shkojë përtej një page prej 6 milionë eurosh në sezon dhe vetëm nëse trajneri ul pretendimet, palët mund të çojnë negociatat përpara.

Një tjetër emër që ka dalë në skenë orët e fundit, është ai i Antonio Contes. Ky i fundit u ka thënë miqve të tij se dëshiron të rikthehet në Itali dhe duke parë problemet ekonomike të Juventusit, zikaltrit duken opsioni më i mirë për të.

Nuk mbeten jashtë vëmendjes as emra të rinj që po bëjnë shumë mirë këtë sezon në Serinë A, si Vincenzo Italiano i Fiorentinës dhe Thiago Motta i Bolognës, megjithatë të dy këto opsione nuk joshin shumë Marottën, që kërkon një emër me më shumë eksperiencë dhe autoritet.