SPORT, 14 Dhjetor 2021, 20:48

Bajerni fiton me Shtutgartin, bavarezët shpallen “Kampionë Dimri” të Bundesligës

Bajerni fiton me Shtutgartin, bavarezët shpallen “Kampionë

Bajerni i Mynihut ka marrë fitoren e radhës në kampionat teksa për llogari të javës së 16-të, ka mposhtur me rezultatin e thellë 0-5 në transfertë, Shtuttgartin. Vendasit u munduan t’i bënin ballë forcës së bavarezëve në ofensivë dhe në fakt ia dolën deri në minutën e 40, kur Serge Gnabry zhbllokoi shifrat pas një asisti të Sane.

Më pas, në fraksionin e dytë, miqtë e nisën sfidën aty ku e kishin lënë dhe ishte sërish Gnabry që gjeti rrugën e rrjetës. Sigurisht, festës së golave nuk mund t’i mungonte Robert Levandovski, që realizoi një dygolësh brenda tre minutave. Në të dyja rastet sulmuesi u asistua nga Gnabry, ndërsa ky i fundit padyshim ishte njeriu i ndeshjes teksa realizoi edhe golin e pestë duke shfrytëzuar edhe një gafë të portierit Myller.

Kështu, me këtë trepikësh, Bajerni i Mynihut ruan kreun me 40 pikë të grumbulluara, nëntë më shumë se ndjekësit e Borusias së Dortmund të cilët kanë një ndeshje më pak, teksa vlen të theksohet se kur ka mbetur edhe një javë nga ndërprerja e kampionatit, bavarezët shpallen “Kampionë të Dimrit”.