TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive euroatlantike, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Në një takim me anëtarë të stafit të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, pjesë e programit “Balkans Forward Congressional Fellowship 2026” të Këshillit Atlantik, Nufi theksoi kontributin e Shqipërisë në stabilitetin rajonal dhe në sigurinë e NATO-s.
“Një mundësi për të ndarë mesazhin se Shqipëria nuk është më vetëm një konsumatore e sigurisë euroatlantike – ajo po shndërrohet gjithnjë e më shumë në kontribuuese faktike e mbrojtjes kolektive, stabilitetit rajonal dhe gatishmërisë së NATO-s”, shkroi Nufi në Facebook.
Ministri përmendi Korridorin VIII, Porto Romanon dhe Bazën Ajrore të Kuçovës si pjesë të përpjekjeve kombëtare në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë në Aleancë.
Nufi u ndal edhe te Samiti i ardhshëm i NATO-s në Tiranë, duke e cilësuar mikpritjen e tij si një nder dhe përgjegjësi për Shqipërinë.
Sipas tij, organizimi i samitit është gjithashtu shprehje e besimit ndaj vendit dhe konfirmim i rëndësisë së Ballkanit Perëndimor si pjesë e hapësirës së sigurisë euroatlantike.