AKTUALITET, 30 October 2026, 14:18

Operacioni/ Mbi 56 kg kanabis të fshehura në pyllin e Komanit, droga transportohej me varka dhe makina për t’u shitur! 4 të arrestuar, një tjetër nën hetim

Operacioni/ Mbi 56 kg kanabis të fshehura në pyllin e Komanit, droga

Policia e Shkodrës ka zbuluar mbi 56.7 kilogramë kanabis të fshehura në një zonë të pyllëzuar në Koman, pas disa javësh hetime për një grup personash që dyshohet se merreshin me transportimin dhe përgatitjen e drogës për shitje.

Kanabisi transportohej me makina dhe varka drejt kësaj zone, ku më pas fshihej dhe përgatitej për shitje. Gjatë kontrolleve, policia gjeti 10 thasë me lëndë të dyshuar narkotike në një ambient të përshtatur për kamping, në pronësi të njërit prej të dyshuarve, si dhe në automjetet që përdornin dy të tjerë.

Në pranga kanë rënë P. F., 45 vjeç, nga Gomsiqja e Vaut të Dejës, M. P., 39 vjeç, nga fshati Dush, K. K., 33 vjeç, nga Shkodra, dhe D. N., 67 vjeç, nga Tirana.

Nën hetim në gjendje të lirë është vënë edhe A. F., 38 vjeç, vëllai i 45-vjeçarit të arrestuar.

Sipas policisë, të pestë dyshohet se bashkëpunonin me njëri-tjetrin për transportimin e kanabisit drejt pyllit në Koman dhe përgatitjen e tij për shitje.

Operacioni i koduar “Gjurmët” u finalizua pas disa javësh hetime, ndërsa policia po punon për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë. Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Shkodrës.