AKTUALITET, 21 July 2026, 14:56

Marjana Koçeku rrëfen largimin nga PS: Protesta më bindi, nuk ndihesha më pjesë e kësaj force politike

Vendimi i deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga Partia Socialiste u shoqërua me reagime të shumta në skenën politike. Deputetja e njohur si “Neomalësorja” deklaroi publikisht edhe mbështetjen e saj për protestën qytetare, e cila prej 52 ditësh kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Koçeku foli për arsyet që e çuan drejt vendimit për t’u shkëputur nga PS dhe momentin kur u bind se ky ishte hapi i duhur. Ajo tha se largimi nuk ishte një vendim i marrë papritur, por rezultat i një procesi të gjatë reflektimi. “Si çdo proces tjetër, ky vendim ka marrë kohën time për ta menduar dhe për ta shtjelluar se si do ta realizoja dhe kur do të ishte momenti i duhur. Ka pasur momente të herëpashershme, nuk ka ardhur papritur. Por ishte protesta ajo që më përforcoi që të ndërmerrja këtë hap”, u shpreh Koçeku. Deputetja theksoi se protesta ishte një nga faktorët që ndikoi në vendimin e saj, duke e cilësuar si një lëvizje të ardhur nga brezi i ri.

“Protesta më motivoi shumë për këtë vendim, si diçka frymëzuese që vjen nga brezi im, nga gjenerata e re që i përkas”, tha ajo. Koçeku tregoi se gjatë muajve të fundit kishte ngritur disa shqetësime brenda strukturave të Partisë Socialiste, por sipas saj, nuk kishte marrë vëmendjen dhe reagimin që priste. Ajo përmendi si çështje problematikat mjedisore në zonën e Drinit, ku është rritur, si dhe çështje që lidhen me Kadastrën dhe problematikat e pronësisë në zonat e veriut.

“Kam folur për çështjen e Drinit, ku jam rritur. Nuk kam marrë përgjigjen që kam dashur. Nuk është marrë vëmendja e duhur për mjedisin. Në mbledhjet e grupit kam folur edhe për problematika si Kadastra dhe ligji i saj”, deklaroi deputetja. Ajo tha se prejardhja nga Malësia e Shkodrës e kishte bërë të njohë nga afër vështirësitë e banorëve dhe nevojën për një qartësim ligjor për pronat. Koçeku foli edhe për periudhën para hyrjes në politikë, ku së bashku me familjen kishte ndërtuar një biznes agroturizmi, i cili sipas saj ishte bërë i njohur edhe në mediat ndërkombëtare. Ajo tregoi se më pas u përfshi në një podcast të kryeministrit Edi Rama, ku kishte prezantuar vizionin e saj për zhvillimin e zonës.

“Dy shtysat kryesore që kam hyrë në politikë kanë qenë sipërmarrja dhe zhvillimi i zonës në atë trajektore që kisha krijuar. Kur më erdhi ky moment, pasi mundësitë ishin të limituara, pranova. Kjo më motivoi që të marr përsipër këtë angazhim publik dhe t’u vij në ndihmë banorëve të mi”, tha Koçeku.
Largimi i saj nga PS dhe qëndrimi pro protestës qytetare e kanë kthyer deputeten në një nga figurat më të komentuara politike të ditëve të fundit.