TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi i bombolës së gazit në një banesë në fshatin Markatomaj të Lezhës, ku mbetën të plagosur 6 pjesëtarë të së njëjtës familje. Të plagosurit u dërguan me urgjencë në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Tre prej tyre u transportuan me autoambulanca, ndërsa tre të tjerët u dërguan drejt spitalit me automjete private, të ndihmuar nga fqinjët dhe familjarët.
Mësohet se tre prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kanë pësuar djegie të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Mes tyre është edhe kryefamiljari, Saimir Kola, i cili për shkak të gjendjes së rënduar është transportuar me urgjencë drejt Tiranës, për të marrë trajtim më të specializuar.
Nga shpërthimi kanë mbetur të dëmtuar edhe dy fëmijë, të cilët kanë pësuar djegie më të lehta. Ngjarja merr një tjetër dimension tragjik për familjen Kola, pasi mësohet se ata kishin planifikuar të zhvillonin dasmën e vajzës ditën e nesërme. Përgatitjet për ceremoninë familjare janë ndërprerë nga ngjarja e rëndë.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar në të gjithë zonën. Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në banesën dykatëshe. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të shpërthimit dhe shkakun e rrjedhjes apo defektit që mund të ketë shkaktuar shpërthimin e bombolës së gazit.
NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 20:30, në një banesë në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi. Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, shtetasi S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.