BOTA, 3 August 2026, 09:55

Shpërthim në një restorant pranë Kremlinit, në shënjestër gjenerali rus Aleksandër Çajko. Mes 5 viktimave edhe dhëndri i tij

Gjenerali rus Aleksandër Çajko dyshohet se ishte objektivi i sulmit me bombë në një restorant në Moskë, ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë, sipas raportimeve të mediave ruse. Sipas raportimeve, të cituara edhe nga Daily Mail, Çajko po festonte 55-vjetorin e lindjes në restorantin Balzi Rossi, i cili ndodhet vetëm disa qindra metra larg Kremlinit.

Bomba artizanale, e cila thuhet se ishte e mbushur me sfera metalike për të rritur fuqinë shkatërruese, dyshohet se u soll në restorant nga një grua si një dhuratë e rreme. Pajisja shpërtheu pasi u identifikua brenda ambienteve të lokalit, ndërsa gruaja humbi jetën në vend.

Në festën, e cila sipas mediave kishte një kosto prej mijëra eurosh, merrnin pjesë politikanë rusë, oficerë të lartë ushtarakë dhe përfaqësues të shërbimeve sekrete.

Mes pesë viktimave është edhe dhëndri i gjeneralit, 27-vjeçari Danil Perendri, ish-lojtar profesionist i hokejit mbi akull. Ndërkohë, vajza 25-vjeçare e gjeneralit, Maria Perendri, është mes 19 të plagosurve dhe raportohet se ka pësuar lëndime të rënda në kokë.