TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vetëm pak ditë pas hyrjes masive të mijëra emigrantëve në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut, situata në kufi ka nisur të ndryshojë
Shumë prej atyre që arritën të kalonin duke notuar ose duke kapërcyer barrierat kufitare po kthehen tashmë vullnetarisht në Marok, duke përshkruar një realitet krejt ndryshe nga pritshmëritë e tyre.
Shumica e emigrantëve deklarojnë se u ndikuan nga videot në rrjetet sociale dhe nga mesazhet e miqve, të cilët i bindën se kufiri mund të kalohej dhe se hyrja në Europë ishte tashmë e mundur.
Por pasi mbërritën në Ceuta, ata u përballën me një situatë tjetër: mbetën të bllokuar, pa mundësi për të vazhduar drejt Spanjës kontinentale. Brahim, një punëtor në një furrë buke në qytetin maroken të Fezit, la punën e tij pasi pa në rrjetet sociale videot me mijëra persona që kalonin kufirin.
“Erdhëm që të përparojmë në jetë, jo që të na mashtrojnë”, tha ai.
Sipas tij, ai qëndroi tre ditë duke konsumuar vetëm ujë, pasi nuk kishte mundësi të përballonte çmimet e ushqimeve.
“Si është e mundur që një sanduiç me ton të kushtojë 100 dirhamë (rreth 9.2 euro)?”, u shpreh ai.
Përvoja të ngjashme kanë treguar edhe emigrantë të tjerë që janë kthyer në qytetin maroken Fnideq, përballë Ceutës. Rrugët që pak ditë më parë ishin mbushur me njerëz, tashmë ishin pothuajse bosh, ndërsa qindra të rinj largoheshin nga kufiri ose prisnin taksi për t’u kthyer në qytetet e tyre.
Shumë prej tyre thanë se gjetën supermarkete dhe dyqane të mbyllura, çka i la pa mundësi për të siguruar ushqime dhe ujë.
“Ceuta ishte si një burg. Nuk kishte asgjë për të bërë dhe gjithçka ishte e mbyllur”, tha një punonjës i portit Tanger Med, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Disa emigrantë pretenduan gjithashtu se ishin sulmuar ose larguar me forcë nga banorë të lagjes El Principe, një zonë në Ceuta me komunitet të madh maroken. Yassin Issou, një kamarier maroken, deklaroi se ishte sulmuar dhe ishte detyruar të largohej nga zona.
“Na izoluan që të detyroheshim të largoheshim vetë nga Ceuta. Dhe ia dolën”, tha ai, duke iu referuar mbylljes së bizneseve.
Çfarë thonë autoritetet spanjolle
Ministria e Brendshme e Spanjës njoftoi se janë regjistruar dy raste sulmesh me thikë, ku dy persona kanë pësuar plagë të lehta, ndërsa një prej autorëve është arrestuar. Autoritetet spanjolle sqaruan gjithashtu se që nga fillimi i krizës së emigracionit nuk është regjistruar asnjë vdekje nga sulmet me thikë në Ceuta.
Në qendrën e Ceutës situata ka nisur të qetësohet. Disa kafene kanë rihapur aktivitetin dhe banorët janë rikthyer në rrugë, ndërsa prania policore mbetet e lartë.
Marina Castanio, 24 vjeçe, familja e së cilës zotëron dy kafene në qytet, tha se vendosën të rikthejnë aktivitetin.
“Jeta duhet të rikthehet në normalitet, por siguria e stafit tonë mbetet prioritet”, deklaroi ajo.
Pavarësisht frikës së shkaktuar nga mbërritja e papritur e mijëra njerëzve, disa banorë kanë shprehur edhe mirëkuptim për emigrantët. Tito, pronar i një dyqani me materiale ndërtimi, tha se ndjen njëkohësisht frikë dhe shqetësim.
“Ndjen se situata të tejkalon, por edhe se je i pafuqishëm. Këta të rinj po shfrytëzohen. Ata përdoren si karta negociimi”, tha ai.
Megjithatë, jo të gjithë emigrantët kanë hequr dorë nga përpjekja për të qëndruar në Europë.
Mohamed Ahmed, një sudanez 43-vjeçar, tregoi se ishte transportuar me kamion pranë kufirit dhe më pas kishte notuar për katër orë për të mbërritur në Ceuta.
Edhe pse, sipas tij, policia po pengon emigrantët të lëvizin drejt qendrave të pritjes, ai mbetet i vendosur të qëndrojë në Spanjë.
“Nuk do të kthehem. Më mirë të vdes duke provuar këtu”, tha ai.