BOTA, 2 August 2026, 15:22

Rrjetet kriminale po rekrutojnë adoleshentë në Evropë për sulme me porosi

Një formë e re dhe gjithnjë e më shqetësuese e krimit të organizuar po përhapet në Evropë, ku grupet kriminale po përdorin rrjetet sociale dhe aplikacionet e koduara për të rekrutuar adoleshentë si autorë të sulmeve me pagesë.

Rasti i një 19-vjeçari norvegjez, i dënuar në gjykatën Old Bailey në Londër për një komplot vrasjeje në West Yorkshire, ka nxjerrë në pah mënyrën e re të funksionimit të këtyre rrjeteve. Sipas hetuesve, të rinjtë joshen me premtime për shuma të mëdha parash dhe më pas përdoren si autorë të ekzekutimeve kriminale.

Fenomeni është cilësuar nga ekspertët si “Dhuna si Shërbim” (Violence-as-a-Service – VaaS), ku organizatat kriminale porosisin sulme dhe vrasje duke përdorur persona të rinj, shpesh të papërvojë dhe të manipulueshëm.

Në qendër të hetimeve është rrjeti kriminal suedez Foxtrot, i konsideruar një nga organizatat më të dhunshme në Evropën Veriore. Autoritetet evropiane dyshojnë se ky grup është përfshirë në dhjetëra vrasje, tentativa vrasjeje dhe sulme me eksplozivë.

 

Sipas hetimeve, rekrutimi bëhet kryesisht përmes platformave online. Të rinjve u dërgohen udhëzime, koordinata, fotografi dhe detaje për objektivat, duke i trajtuar misionet kriminale si një lojë. Në disa raste, përdoren pseudonime të frymëzuara nga video-lojërat për t’i bërë aktivitetet kriminale të duken si sfida virtuale.

Një nga rastet që ka tronditur autoritetet është ai i një 18-vjeçari në Suedi, i cili vrau personin e gabuar gjatë një sulmi të porositur. Ai u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa hetuesit zbuluan se ishte përdorur nga rrjeti kriminal pa marrë shpërblimin e premtuar.

Ekspertët paralajmërojnë se shumica e këtyre autorëve të rinj nuk marrin asnjëherë pagesat e premtuara. Organizatat kriminale, sipas tyre, i konsiderojnë adoleshentët si persona të zëvendësueshëm dhe shpesh i braktisin sapo arrestohen.

Në rastin e norvegjezit Johannes Natland, autoritetet zbuluan se ai ishte kontaktuar online me një ofertë për një vrasje në Britani kundrejt një pagese prej rreth 21 mijë paundësh. Ai u udhëzua përmes aplikacioneve të koduara dhe u arrestua para se të kryente sulmin.

Përballë këtij fenomeni, Europol ka krijuar një grup të posaçëm hetimor, OTF GRIMM, ku marrin pjesë disa vende evropiane. Brenda muajve të parë të punës së tij janë kryer qindra arrestime dhe janë goditur disa struktura të rrjetit Foxtrot.

Megjithatë, autoritetet evropiane paralajmërojnë se problemi është zgjeruar përtej një organizate të vetme. Modeli i rekrutimit online të të miturve po kopjohet edhe nga grupe të tjera kriminale, duke krijuar një sfidë të re për sigurinë në Evropë.

Hetuesit thonë se rreziku më i madh qëndron te kombinimi i kriminalitetit tradicional me teknologjinë, pasi rrjetet sociale po përdoren për të gjetur dhe manipuluar një brez të ri autorësh të dhunës.