BOTA, 30 September 2026, 22:58

SHBA-ja largohet nga GRECO, organizata ndërkombëtare që lufton korrupsionin

Administrata e presidentit Donald Trump ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO), një organ i Këshillit të Evropës që monitoron respektimin e standardeve kundër korrupsionit.

Këshilli i Evropës njoftoi se SHBA-ja e ka informuar zyrtarisht për vendimin e saj për t’u larguar nga organizata. Sipas të dhënave të publikuara, vetëm dy shtete të tjera janë larguar më parë nga GRECO – Rusia dhe Bjellorusia.

Një zyrtar amerikan konfirmoi se njoftimi për tërheqjen ishte dorëzuar të hënën. Departamenti amerikan i Shtetit pritet të japë më shumë detaje rreth vendimit, raporton ABC.

SHBA-ja ishte pjesë e GRECO-s që nga viti 2000. Këshilli i Evropës tha se Uashingtoni ka qenë një kontribuues i rëndësishëm në punën e organizatës dhe në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

GRECO, megjithatë, tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me SHBA-në në të ardhmen, veçanërisht në përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, forcimin e integritetit dhe respektimin e sundimit të ligjit.

Tërheqja nga GRECO vjen në kuadër të një serie vendimesh të administratës Trump për reduktimin e angazhimit të SHBA-së në organizata ndërkombëtare dhe shumëpalëshe. Uashingtoni ka argumentuar se disa prej këtyre organizatave tejkalojnë mandatet e tyre, janë joefikase ose nuk përshtaten me politikat amerikane.

Në janar, SHBA-ja u tërhoq edhe nga Komisioni i Venecias, organ këshillues i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese. Më herët, administrata Trump kishte njoftuar gjithashtu tërheqjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

GRECO u themelua në vitin 1999 nga Këshilli i Evropës dhe anëtarësimi në të nuk është i kufizuar vetëm për vendet e Bashkimit Evropian. SHBA-ja iu bashkua organizatës në vitin 2000.