SPORT, 1 Nëntor 2019, 23:25

Selahi vazhdon të shkëlqejë, statistikat e bëjnë mesfushorin më të mirë në Holandë

Selahi vazhdon të shkëlqejë, statistikat e bëjnë

Lindon Selahi vazhdon të bëjë emër në kampionatin holandez të futbollit. Paraqitjet e tij e kanë kthyer shumë shpejt në një prej futbollistëve të preferuar nga tifozeria e Tuente. Nuk është rastësi, pasi edhe statistikat tregojnë se mesfushori është një nga lojtarët më të spikatur në Eredivisie.

Sipas të dhënave zyrtare të aktivitetit, Lindon Selahi ka provuar të bëjë 38 ndërhyrje në 12 ndeshjet luajtura deri tani, nga të cilat 23 kanë qenë të suksesshme duke i hequr topin nga këmbët kundërshtarit. Sipas kësaj statistike, me 61% saktësi në ndërhyrjet e tij, ai rezulton të jetë mesfushori më i mirë i kampionatit në këtë lloj renditje statistikore, jo pak për një djalosh i cili e ka këtë vitin e tij të parë mes profesionistëve duke luajtur rregullisht.

Aktivizimi i rregullt me Tuente i Selahit ka bërë që trajneri Reja ta afrojë atë në ekipin e parë dhe pas debutimit simbolik ndaj Moldavisë, pritet t’i japë më shumë minuta në takimet e radhës të kuqezinjve.