SPORT, 30 Tetor 2019, 20:37

Armiku i betuar i Shaqirit tani sulmon Xhakën: Nuk mëson nga përvoja, bën 400 ndërhyrje të gabuara

Armiku i betuar i Shaqirit tani sulmon Xhakën: Nuk mëson nga

Geri Nevill u kthye një vit më parë në armikun e betuar të Xherdan Shaqirit duke vënë në diskutim cilësitë e mesfushorit ofensiv kur ai firmosi për Liverpulin. Por ishin deklarata të cilat u desh t’i kapërdinte pasi pa pikërisht Shaqirin të masakronte Mançester Junajtid, klub ku Nevill ka qenë kapiten për disa vite.

Por tashmë, ish-mbrojtësi ka zgjedhur një tjetër futbollist me origjinë shqiptare për të kritikuar, Granit Xhakën, pas ngjarjes së fundit ku mesfushori i Arsenalit u përplas me tifozët e vet.

“Unë kam vështirësi në vlerësimin e Xhakës. Nuk kam parë asnjëherë më parë një lojtar i cili mëson më pak nga eksperiencat e tij se Xhaka. Duket sikur ai bën 400 ndërhyrje të gabuara në ndeshje, ai praktikisht merr karton sa herë që e shoh të luajë.

Nuk duket se dikton ritmin për pjesën tjetër të shokëve të skuadrës me paraqitjet e tij, ndaj ajo që ndodhi të dielën nuk më çudit për shkak të mungesës së disiplinës, ai ka shumë të tillë”, tha Nevill.

“Ai jep gjithçka në fushë, është i përkushtuar, për këtë nuk kam asnjë dyshim. Por ai është lojtari me më pak eksperiencë që kam parë ndonjëherë, Ai nxitohet dhe nuk e di pse nuk e korrigjon këtë pikë. Nuk kam asnjë probleme me idenë që të përballesh me tifozët e tu, krijon tension. Nuk është asnjëherë diçka e mirë, as e shëndetshme, por në futboll mund të ndodhë. Mendoj se së fundmi është shumë e vështirë për të që të mbajë përsëri atë shirit, mendoj se do të ishte e vështirë që të pajtohej shpejt me tifozët. Do të duhej të kërkonte shumë, shumë ndjesë”, tha Nevill për Xhakën.