TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia Kufitare ka ndëshkuar me gjoba të rënda dy drejtues gomonesh që lundruan në afërsi të bregut, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve në zonat bregdetare të Potamit dhe “Plazhit të Hidrovorit” në qarkun e Vlorës.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Vlorë reaguan menjëherë pas denoncimit të qytetarëve për një gomone që po lundronte pranë bregut në plazhin e Potamit. Pas kërkimeve, mjeti u lokalizua në plazhin e Drimadhes, ku u bllokua nga policia.
Drejtuesi i gomones, shtetasi me iniciale H. L., u ndëshkua me 500 mijë lekë gjobë për shkeljen e rregullave të sigurisë detare. Ndërkohë, gjatë patrullimeve përgjatë vijës bregdetare, efektivët konstatuan një tjetër gomone që po lëvizte shumë pranë bregut në zonën e njohur si “Plazhi i Hidrovorit”. Mjeti u ndalua dhe u bllokua, ndërsa drejtuesi, shtetasi E. Sh., u gjobit me 510 mijë lekë.
Nga verifikimet rezultoi se ai nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm të parashikuar nga ligji.
Policia Kufitare bën me dije se kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e sigurisë detare gjatë sezonit turistik. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve, pushuesve dhe vizitorëve që të denoncojnë çdo shkelje që cenon sigurinë në det, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe zbatim të ligjit.