AKTUALITET, 14 July 2026, 12:26

Shqetësuese/ Ngordhje masive peshqish në Gjinikas, banorët fajësojnë hapjen e portave të hidrocentralit

Qindra peshq të ngordhur kanë mbuluar ujërat e rezervuarit në fshatin Gjinikas, në Bashkinë Maliq, duke ngritur shqetësim te banorët e zonës.

Sipas tyre, fenomeni përsëritet sa herë që hapen portat e hidrocentralit, ndërsa pretendojnë se ndryshimet e menjëhershme të prurjeve të ujit po shkaktojnë dëme të mëdha në faunën ujore.

Pamjet e siguruara tregojnë një sipërfaqe të mbuluar me peshq të ngordhur, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të verifikuar shkaqet e kësaj ngjarjeje dhe për të parandaluar përsëritjen e saj.

Ekspertët e mjedisit theksojnë se ngordhja masive e peshqve mund të lidhet me disa faktorë, si ndryshimet e menjëhershme të prurjeve, mungesa e oksigjenit në ujë, lëshimi i sedimenteve apo ndryshimet e temperaturës së ujit.

Shkaku i saktë mund të përcaktohet vetëm përmes analizave të ujit dhe hetimeve nga institucionet përgjegjëse.

Banorët kërkojnë që Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati i Mjedisit dhe institucionet e tjera përgjegjëse të kryejnë verifikimet e nevojshme, për të sqaruar arsyet e ngordhjes masive të peshqve dhe për të marrë masa nëse konstatohen shkelje.