TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunović, lidhur me luftën në Kosovë, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës.
Në reagimin e saj, Spiropali shprehet se është e pabesueshme që një ministre e një vendi që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian të shprehë keqardhje se në Kosovë "nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar".
"Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet. Ky nuk është mendim politik. Ky është barbarizëm verbal", shkruan Spiropali.
Sipas saj, Europa nuk mund të heshtë përballë një gjuhe të tillë, ndërsa thekson se kush justifikon ose shpreh keqardhje që krimet nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha nuk mund të jetë partner i vlerave europiane dhe duhet të mbajë përgjegjësi politike, institucionale dhe humane.
Spiropali nënvizon se liria e Kosovës nuk iu fal askujt, por u fitua me gjak, duke shtuar se mbrojtja e kujtesës së viktimave është detyrim moral dhe politik për Europën.
Në përfundim, ish-ministrja e Jashtme thekson se, nëse Serbia e ka seriozisht rrugën drejt Bashkimit Europian, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj një retorike të tillë, e cila, sipas saj, jo vetëm e turpëron vendin, por rrezikon edhe bashkëjetesën paqësore me fqinjët.
REAGIMI I SPIROPALIT
E pabesueshme të dëgjosh nga një ministre e një qeverie të një vendi që aspiron integrimin europian të shprehë pa asnjë drojë keqardhjen se në Kosovë nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar.
Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet.
Ky nuk është mendim politik.
Ky është barbarizëm verbal.
Europa nuk mund ta dëgjojë këtë gjuhë dhe të heshtë. Kush justifikon ose shpreh keqardhje për krime që nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha, nuk mund të jetë partner i vlerave europiane, duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale, por më së shumti humane.
Kosovës nuk ia fali kush Lirinë. Kosova Lirinë e fitoi me gjak. Është në nderin dhe detyrën e Europës të mbrojë kujtesën e viktimave, që përbën themelin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar.
Nëse Serbia rrugën drejt Bashkimit Europian e ka seriozisht, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtij makabriteti verbal që, më së paku, e turpëron, më së shumti ia rrezikon bashkëjetesën paqësore me fqinjët.