AKTUALITET, 14 July 2026, 13:31

Debati/ "Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën", Majko reagon pas deklaratës së ministres serbe: Sinqeriteti i saj është peshë mbi qeverinë e Beogradit

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se, nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Majko u shpreh se deklarata e ministres serbe nuk duhet të shkaktojë habi, duke e cilësuar atë si një tregues të vazhdimësisë së një qasjeje politike që, sipas tij, ende ekziston në struktura të politikës dhe shtetit serb.

“Janë kujtimet ato që na përcaktojnë! Ndaj askush nuk ka pse të ndihet shumë i ‘çuditur’ nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç”, shkruan Majko.

Sipas tij, një deklaratë e tillë publike nga një zyrtare e lartë përbën një barrë për qeverinë serbe në përpjekjet e saj për integrimin europian.

“Kjo deklaratë publike (e një ministreje), është ndërkaq, një ‘peshë’ mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrimin europian!”, shprehet ish-kryeministri.

Ministrja serbe Snezhana Paunoviç, ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.

Janë kujtimet ato që na përcaktojnë! Ndaj askush nuk ka pse të ndihet shumë i “çuditur” nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç! Kjo deklaratë publike (e një ministreje), është ndërkaq, një “peshë” mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrimin europian!

Kujtimi i një lufte të humbur e bën paqen frustruese! Ministrja serbe ka shprehur me “sinqeritet” atë vullnet kolektiv i cili, për fat të keq, ekziston ende brenda strukturave të politikës dhe shtetit serb!
Sinqeriteti publik i ministres Snezhana Paunoviç nuk është vetëm “guxim”, por edhe vazhdimësi e një politike të një njeriu si Sllobodan Millosheviç, të burgosur në Hagë për krime lufte!

… Sot, në Hagë po gjykohen edhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Nëse Sllobodan Millosheviçi do ta realizonte atë që dëshiron publikisht, ministrja serbe Snezhana Paunoviç, të akuzuarit nuk kishin pse gjykoheshin, sot në Hagë! Ata, sot, nuk do të ishin të gjallë!…

Vetëdija e “fajësisë” për një krim të “papërfunduar” në kohë paqe, është po aq i rëndë sa një krim i kryer në kohë lufte!