TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Lëvizja e mjeteve dhe udhëtarëve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është pezulluar për shkak të protestës së doganierëve grekë.
Nga ora 05:00 deri në orën 09:00, pala greke ka ndërprerë përkohësisht punën, duke mos lejuar kalimin e automjeteve dhe qytetarëve.
Megjithëse disa udhëtarë kanë kryer procedurat në pikën kufitare shqiptare dhe kanë dalë nga territori shqiptar, ata janë detyruar të presin hapjen e doganës greke për të vijuar udhëtimin e tyre drejt Greqisë.
Protesta është organizuar nga sindikata e punonjësve të doganave greke, të cilët kërkojnë rritjen e numrit të punonjësve, përmirësimin e kushteve të punës dhe të pagesave, si dhe zbatimin e angazhimeve të marra nga qeveria greke për trajtimin e tyre në administratën publike.
Sipas tyre, mungesa e stafit dhe ngarkesa e lartë në punë po krijojnë vështirësi në funksionimin normal të pikave kufitare dhe shërbimeve doganore, shkruan A2.
Doganierët grekë kanë paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh dhe nuk zbatohen nga autoritetet greke, do të vijojnë me forma të tjera proteste edhe në ditët në vijim.
Ndërkohë, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës pritet rinisja normale e lëvizjes pas përfundimit të orarit të protestës, ndërsa udhëtarët janë këshilluar të marrin parasysh vonesat e krijuara në kufi.
Pas përfundimit të intervalit të pezullimit të lëvizjes, ka nisur kalimi i mjeteve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.
Dhjetëra automjete të vogla, autobusë dhe kamionë kishin krijuar radhë në anën shqiptare në pritje të hapjes së pikës kufitare greke. Menjëherë pas rifillimit të lëvizjes, autoritetet nisën nga puna ndërsa radha vijon të jetë e gjatë për shkak të fluksit të krijuar gjatë orëve të pezullimit.
Pas përfundimit të grevës, lëvizja në pikën kufitare ka rifilluar me përparësi mjetet e vogla dhe autobusët.
