AKTUALITET, 27 July 2026, 09:21

Të pajisur me vezë, protestuesit thirrje para Kuvendit: Parlament analfabet. Rama në burg, Berisha në burg!

Qytetarët janë vendosur para parlamentit për protestën e radhës. Me thirrjet “parlament i krimit”, “parlament analfabet” dhe “nuk na përfaqësoni”, ata kërkojnë që qeveria të dorëhiqet.

“Ju erdhi fundi”, thërrasin ata. Ata kënduan edhe himnin kombëtar, me të cilin çelin çdo protestë të orës 19:00 para kryeministrisë. Protestuesit janë pajisur edhe me vezë.

 Të mbledhur përpara godinës së Parlamentit, protestuesit kanë artikuluar një sërë sloganesh, duke shprehur pakënaqësitë e tyre.

Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrjet: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Parlamenti i krimit”, “Nuk na përfaqësoni”, “Ju erdhi fundi”.

Gjatë tubimit, vëmendje tërhoqi një pankartë me mbishkrimin “Pula në burg, është fabrikë e armëve”, një ironi që lidhet me ngjarjet e protestës së të enjtes, kur deputetët dhe ministrat u goditën me vezë gjatë hyrjes në Parlament.

Ndërkohë, protesta po zhvillohet nën masa të forta sigurie, me prani të shtuar të forcave të policisë përreth godinës së Kuvendit, ku po mbahet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.