AKTUALITET, 27 July 2026, 09:27

Kuvendi, shqyrtohet mundësia për dy seanca plenare brenda ditës. Mblidhen protestuesit e parë, masa të përforcuara sigurie

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, më 27 korrik, në seancë plenare publike, e cila do të nisë në orën 10:00.

Paralelisht me zhvillimin e saj, është paralajmëruar një protestë para godinës së Parlamentit, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë të njëjtat masa sigurie si në seancën e së enjtes. Që prej orës 08:30 janë mbledhur protestuesit e parë.

Perimetri i sigurisë do të jetë i pandryshuar, me prani të shtuar të forcave të policisë në zonën përreth Kuvendit, për të garantuar mbarëvajtjen e seancës dhe tubimit të paralajmëruar.

Në orën 09:00 Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të zhvillojë një mbledhje në selinë blu për të vendosur qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare.

Sakaq deputetët e PS kanë mbërritur në Kuvend.

Burime bëjnë me dije se mund të kemi dy seanca sot. Pasi të njoftohet nga Peleshi, do të mblidhen në Kuvend komisionet parlamentare për ta shqyrtuar dhe më pas Kuvendi mblidhet për ta miratuar.

Zyrtarisht, rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftimet dhe projektvendimin për ndryshimin e vendimit nr. 87/2026, që lidhet me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse gjatë seancës do të futet për miratim edhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, çështje që pritet të jetë edhe arsyeja kryesore e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së përpara nisjes së seancës.

Burime nga PS-ja thanë se mund të ketë edhe një seancë tjetër sot pasdite, në orën 15:00.

Planet janë që ta kalojnë sot në komision marrëveshjen me SHBA në fushën e mbrojtjes dhe më pas ta kalojnë në Parlament pasdite. 

Rendi i ditës

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 27.7.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 23.7.2026.

2. Njoftime.

3. Projektvendimi "Për një ndryshim në vendimin nr. 87/2026, “Рër caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit", i ndryshuar".

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.