TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pasi la pas një skenë krimi që duhej zgjidhur Davide vazhdoi udhëtimin e tij.
Mediat italiane dhe shqiptare u ndezën në raportime për pistat që rrëzoheshin po aq me shpejtësi. Davide thotë se në Bosnjë po rigjente veten.
Davide Pecorelli: Qëndrova me priftërinjtë 4 muaj dhe këtë e quaj rilindja ime. Fillova të mendoj për gjërat e rëndësishme, për jetën që nuk po më dukej dështim. Punoja, lutesha, kultivoja domate, kultivoja sallatë. Shkurt, e ndryshova jetën plotësisht, humba peshë dhe ndërkohë rrita flokët. Dhe në prill më mori malli për familjen, për fëmijët e mi, doja të kthehesha në shtëpi, çfarëdo që të ndodhte, nuk më interesonte. Dua të them, as që doja ta dija çfarë kishte ndodhur me hetimin. Unë nuk dija asgjë çfarë thuhej, sepse nuk kisha telefon. Isha pothuajse i sigurt që mendonin se unë kisha vdekur, sepse askush nuk më pa. Celulari im ishte brenda makinës që përdorëm, ora, kockat njerëzore. Mendoja se kishin shpallur tashmë një funeral, por jo, s’kishte pasur.
Por ajo që për Daviden kishte qenë një arratisje nga problemet dhe borxhet, për policinë vazhdonte të ishte ende një vendngjarje sa kontradiktore aq edhe misterioze. Ekspertët edhe sot nuk e kanë gjetur dot se çfarë lënde djegëse u përdor për automjetin dhe as ku u siguruan eshtrat.
Fatbardh Kuliçaj: Kemi gjetur një makinë në cepin e rrugës duke u djegur.
Davide pretendon se gjatë bisedave me priftërinjtë mikpritës në Bosnjë, iu kërkua prej tyre të udhëtonte drejt ishullit të Montekristos, i paaksesueshëm për vizitorët. Në fakt, emri i këtij ishulli është i lidhur ngushtë me legjendën e një thesari të fshehur.
Davide Pecorelli: Unë u mendova se në fillim nuk doja, por thashë: unë kam humbur çdo gjë në Itali. Nuk kam asnjë pronë në Itali, sepse me falimentimet më morën gjithçka që kisha, të gjitha paratë, gjithçka. Kisha shumë prona, kisha 15 apartamente dhe dyqane, po flasim për miliona euro. Kjo është arsyeja pse isha në depresion. Ndaj u ktheva në Shqipëri për të marrë përsëri mësimet e detit për varkën. Prifti kishte njohje në Vlorë dhe kështu, në fillim të majit, unë udhëtova me makinë. Kalova kufirin ilegalisht. Unë isha pasagjeri. Në timon ishte prifti, të cilin e njihnin dhe nuk na thanë asgjë. Kjo është arsyeja pse nuk mund të them emrin e tij, sepse në çdo rast prifti ishte një njeri i mirë që më shpëtoi jetën.
Në të vërtetë mbetet ende e pavërtetuar me prova se ku qëndroi gjatë 9 muajve Davide Pekoreli. Nëse u strehua vetëm në Vlorë apo u arratis edhe në Bosnjë. Ndonëse hetuesit nuk e përmendin Bosnjën dhe itinerarin Shqipëri dhe anasjelltas, kjo do të thoshte më vonë një tjetër akuzë ndaj tij, kalimi i paligjshëm i kufirit shqiptar.
Davide Pecorelli: Nuk kisha dokument, asgjë. Unë isha pa para. Isha i vetmi italian që në Vlorë nuk po paguaja asgjë. Kisha fare pak lekë, por aty luaja futboll. Dilja. Bëra mik Rapo Taon dhe miq të tjerë. Të gjithë ata më njihnin si Kristiano shkrimtari.
Autoritetet dypalëshe nisën të komunikonin me letërporosi, por kjo nuk mjaftoi. Një grup italian hetuesish mbërriti në Pukë e, gjithsesi, asnjë e re.
Fatbardh Kuliçaj: Djegia e makinës ishte në një shkallë të tillë…
Davide Pecorelli: Kisha humbur 25 kilogramë. Kisha flokë të gjatë, kështu që askush nuk më njihte. Nuk kisha telefon, por përmes telefonëve të të tjerëve nisa të shihja lajmet rregullisht. Dikush thoshte se mafia shqiptare më kishte vrarë. Qesha, sepse unë nuk isha mafioz. Policia italiane kishte hapur një hetim madje për trafik ndërkombëtar droge, sikur të isha Pablo Escobar. Nuk e kam kuptuar kurrë pse, se unë gjithmonë kam qenë sportist. Kështu gruan e vunë nën kontroll për të zbuluar nëse kishte kontakte, duke qenë shqiptare. Gjithashtu, një koleg i juaji gazetar ishte në plazh me ne dhe, në një moment të caktuar, ai donte që unë të prezantoja librin që thosha se po shkruaja.
Mikel Marsi, gazetar: Unë e takova përmes njerëzve të tjerë dhe më tha që po shkruante libër për ishullin e Sazanit dhe për një thesar. U prezantua si shkrimtar. Kur unë vajta ta takoja, ai më shmangej vazhdimisht për intervistën.
Ndërkohë, policia po pyeste dhjetëra persona.
Në të vërtetë, në dosjen e re që u hap pas gjetjes së Davides, ishte edhe Vasil Ruçi, futbollisti legjendë i Flamurtarit.
Vasil Ruçi, dëshmi e datës 21 tetor 2021: Në muajin shtator të këtij viti, së bashku me disa ish-futbollistë të viteve ’80-’90 të ekipit të Flamurtarit, u organizua një ndeshje miqësore në shtetin e Greqisë me një ekip ish-futbollistësh të të njëjtit brez të qytetit Paramithia. Gjatë stërvitjeve që kryem për këtë ndeshje, në një prej tyre, Rapo Tao më kërkoi që me ekipin të bashkohej për të luajtur në Greqi edhe një person që ai kishte njohur së fundmi, i cili ishte italian. Kam pranuar dhe e kam parë vetëm atë ditë shtetasin italian, të cilit i kam dhënë edhe fanellën për ndeshje. Të nesërmen, ky shtetas nuk u paraqit në vendin ku kryenim stërvitje. Pas disa ditësh u nisëm për në Greqi për aktivitetin sportiv dhe disa ditë më vonë pashë në media që në Itali ishte gjetur i gjallë një shtetas italian, i cili ishte shpallur i humbur prej muajit janar të vitit 2021 në Shqipëri.
Bardh Kuliçaj: Ne dyshuam se nga djegia dhe në kocka mund të kenë pasur ndonjë gjë.
Davide Pekorelli u gjet më 17 shtator 2021 pranë ishullit të Montekristos në Itali. Ai thotë se kishte udhëtuar drejt Romës me pelegrinë të Medjugorjes dhe se, për arratisjen nga borxhet, mori identitetin e një gjeologu.
Davide Pecorelli: Në fillim u thashë që jam Xhuzepe Mundo dhe e telefonuan. I vërteti ishte për drekë me familjen e tij. Pas dy-tri orësh u thashë: dakord, do ju them, do ju tregoj se kush jam, por më lini të bëj një telefonatë.
Anila Hoxha: Kë telefonuat?
Davide Pecorelli: Më kujtohej vetëm numri i ish-bashkëshortes dhe ky është një problem me gruan time, sepse unë nuk i mbaj mend numrat. Komandanti i policisë e thirri në telefon dhe i tha: “Këtu është z. Pecorelli që do të flasë me ty.” Kur ma dha telefonin, mora fyerje për të paktën dy ose tre minuta. Çfarë mund t’i thuash një ish-burri për të cilin mendon se është i vdekur, ndërsa është shëndoshë e mirë? Gjëja qesharake që do ta mbaj mend është se karabinieri sapo ishte divorcuar nga gruaja dhe, kur dëgjoi bisedën, tha: “Të gjithë janë njësoj.”
Anila Hoxha: Nuk mund ta besoj.
Davide Pecorelli: Ju betohem, është një histori e vërtetë.
Fatbardh Kuliçaj: Është kapur në një ishull në Itali. Ranë të gjitha pistat pas kësaj.
Në Shqipëri Davide u dënua për dy vepra, për dhunim varresh dhe për shkatërrim prone me zjarr, për tre të tjera mori pafajësi.
Davide Pecorelli: Më sollën më 7 maj 2025. Më dorëzuan në burg te 313, Jordan Misja. Do ta kujtoj gjithë jetën.
Anila Hoxha: Ishte jeta jote e dytë apo e tretë në burg?
Davide Pecorelli: Ishte jeta e dytë e Davidit të ri. E mendoj pozitivisht, edhe pse qe një nga momentet më të vështira. Nëse nuk do të kisha pasur bashkëshorten shqiptare, nuk e di nëse do t’ia kisha dalë. Aty kishte padrejtësi. Edhe pse kishte njerëz që kishin bërë gabime, kushdo duhet të paguajë gabimet që bën, por “Jordan Misja” nuk është një burg normal. Kur u arrestova në Peruxhia bëra burg, por krahasuar me këtë është parajsë. Nuk e di, aty në Jordan Misja ka njerëz që jetojnë në ato kushte aspak higjienike. Unë mora hepatit aty. Foli madje një senator i Parlamentit Italian për kushtet kritike në burg.
Kur dënohesh nga gjykata, të gjithë pendohen, por është vonë. Shumë nuk i pranojnë krimet për dekada të tëra. Dhe Davide ka vendosur që mësimin që mori nga kjo aventurë ta ndajë me këdo që gjendet në vështirësi.
Davide Pecorelli: Tashmë çështja është në Gjykatën e Lartë. E pranoj që gabova, por nuk jam kriminel. E vetmja keqardhje është që i bëra njerëzit të vuajnë. Dua t’i them kujtdo që ka probleme me jetën se çdo gjë zgjidhet. Jam dëshmitar i kësaj. E kam braktisur Davidin e vjetër dhe tani jam ndryshe. Kur mendoj që atje në burg ka njerëz që për pesë muaj jetojnë me tetë njerëz, unë ndihem më shumë shqiptar se italian dhe po marr shtetësinë shqiptare, sepse jam martuar. Nuk besoj se vendimi i Gjykatës së Lartë do të më pengojë.
Anila Hoxha: A e keni mësuar gomonen?
Davide Pecorelli: Jo. Në fillim do të mësoj shqip dhe po provoj. /Top Channel