TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një projektligj i ri pritet të kthejë përmbys mënyrën se si shteti shqiptar administron dhe shet pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Përmes një drafti prej 11 nenesh, qeveria synon të krijojë një sistem të unifikuar dhe efikas, duke futur në lojë ndryshime rrënjësore ligjore dhe praktike që prekin jo vetëm botën e teknologjisë, por edhe pronat e paluajtshme në mbarë vendin.
Milionat në Kripto që SPAK "nuk kishte ku t'i çonte"
Ky hap ligjor vjen në një moment kritik, pasi Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka goditur fort botën e financave të errëta dixhitale, por është përballur me vështirësi të paprecedentë logjistike dhe ligjore për menaxhimin e tyre.
Gjatë bilancit të saj të fundit, SPAK konfirmoi se vetëm gjatë vitit 2025 vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara kapte vlerën e rreth 45.4 milionë eurove, ku një pjesë e konsiderueshme përbëhej nga kriptovalutat. Goditja më e bujshme ishte ajo ndaj grupit kriminal të vëllezërve Çopja nga Elbasani, të cilëve iu ngrinë plot 10 milionë dollarë në kriptomonedha.
Megjithatë, ky sukses zbuloi një ngërç të madh. Shteti shqiptar nuk kishte kapacitete dhe as portofol zyrtar dixhital për t'i ruajtur këto miliona!
Prokurorët e SPAK u detyruan të kërkojnë ndihmë urgjente dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke i ruajtur këto asete fillimisht me ndihmën e prokurorisë italiane dhe kompanive të huaja globale të këmbimit (exchanges). Në Komisionin e Ligjeve, prokurorët ngritën alarmin se "portofolet dixhitale kërkojnë mirëmbajtje dhe ndërhyrje urgjente ligjore" pasi as AAPSK dhe as SPAK nuk dispononin një infrastrukturë të sigurt për administrimin e "thesarit dixhital".
Me kalimin e këtij projektligji të ri, ky vakum ligjor mbyllet përfundimisht. Shteti shqiptar tashmë do të ketë rregulla të qarta se si do t'i sekuestrojë, mbajë dhe eventualisht t'i kthejë në para cash për buxhetin e shtetit të gjitha kriptovalutat e sekuestruara nga eksponentët e krimit.
Çfarë sjell projektligji i ri?
Zgjerimi i fushës së veprimit: Për herë të parë, AAPSK nuk do të administrojë vetëm pasuritë e sekuestruara apo konfiskuara nga organet e drejtësisë. Agjencia merr tashmë nën varësi edhe pasuritë e bllokuara nga vendimet e pushtetit vendor apo organeve të tjera administrative, duke përfshirë këtu një nga plagët më të mëdha të territorit: ndërtimet pa leje.
Krijimi i "Fondit të posaçëm për ndërtimet pa leje": Ky është një term tërësisht i ri i parashikuar në ligj. Ky fond i dedikuar do të shërbejë ekskluzivisht për zhvillimin dhe veprimtarinë e objekteve pa leje që konfiskohen. Qëllimi është që këto objekte të përdoren për interes publik, strehim social apo për të zbutur pasojat sociale në komunitet.
AAPSK merr kontrollin e plotë të shitjeve:
Deri më sot, përfshirja e një institucioni të dytë në procesin e shitjes së pronave të sekuestruara krijonte vonesa të stërzgjatura burokratike dhe rriste kostot. Tashmë, Agjencia dhe Kryeadministratori do të kryejnë vetë të gjitha procedurat e ankandit dhe lidhjen e kontratave të shitjes, duke rritur efikasitetin financiar dhe transparencën.
Minimizimi i afateve të shitjes: Në aspektin procedural, projektligji shkurton ndjeshëm kohën e shitjes së pasurive të sekuestruara e konfiskuara, duke bërë që të ardhurat të kalojnë shumë më shpejt në buxhetin e shtetit dhe në fondet sociale.
Formula e re për shpenzimet e administrimit ("Sekuestro me studim tregu"): Për shkak se pasuritë në masë "sekuestro" kanë një ecuri të paparashikueshme (pasi varen nga hetimet e pazbardhura të drejtësisë), ligji përcakton që shpenzimet për to do të mbulohen mbi bazën e një studimi tregu. Këto shpenzime do të paguhen nga vetë të ardhurat që agjencia gjeneron nga qiratë apo shitjet e pasurive që ka në administrim, duke mos rënduar buxhetin e shtetit.
Kriptomonedhat njihen zyrtarisht si pasuri e luajtshme: Projektligji integron ligjërisht "monedhën virtuale" në listën e pasurive të luajtshme që mund të sekuestrohen, konfiskohen dhe administrohen sipas rregullave të qarta që do të miratohen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave./Vna