TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Komisioni Evropian ka hartuar një listë paraprake me 10 profesione që konsiderohen me rëndësi të veçantë për tregun e punës në Bashkimin Europian dhe për të cilat synohet të lehtësohet ndjeshëm njohja e kualifikimeve profesionale mes vendeve anëtare.
Në krye të listës që citon noa.al janë fizioterapistët, për të cilët është miratuar tashmë kuadri i parë i përbashkët i formimit.
Nisma është pjesë e Paketës për Lëvizjen e Drejtë të Fuqisë Punëtore dhe synon të ulë pengesat burokratike për profesionistët që duan të punojnë në një shtet tjetër të BE-së.
Sipas planit, njohja e kualifikimeve për disa profesione të rregulluara pritet të bëhet më e shpejtë, më e lirë dhe më e sigurt.
Aktualisht, vetëm shtatë profesione përfitojnë nga njohja automatike në të gjithë BE-në, mes tyre mjekët, infermierët e përgjithshëm, dentistët, farmacistët, mamitë, veterinerët dhe arkitektët.
Komisioni synon që kjo listë të zgjerohet gradualisht.
10 profesionet që janë përfshirë në listën paraprake janë:
-Fizioterapistë
-Inxhinierë ndërtimi
-Teknikë të laboratorëve biomjekësorë
-Elektricistë
-Arkitektë peizazhi
-Ndihmës-infermierë
-Ndihmës të kujdesit shëndetësor
-Terapistë profesionalë
-Teknikë të radiologjisë
-Edukatorë parashkollorë dhe punonjës të kujdesit për fëmijët
Komisioni Evropian thekson se kjo listë është paraprake dhe është hartuar sipas përparësive të tregut të punës.
Profesionet janë përzgjedhur për shkak të mungesës së punonjësve, rëndësisë për ekonominë, shëndetësinë, kujdesin social, arsimin, energjinë dhe kalimin e gjelbër e digjital.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me kohën e njohjes së kualifikimeve.
Për profesione si mjekët, infermierët, inxhinierët dhe mësuesit, procedura digjitale synon ta ulë kohën e njohjes nga rreth tre muaj në pesë javë.
Një rol të rëndësishëm do të ketë edhe Portofoli Europian i Identitetit Digjital, ku qytetarët do të mund të ruajnë dokumente si kartën e identitetit, patentën, diplomat dhe të dhënat e sigurimeve shëndetësore.
Vendet e BE-së pritet të përfundojnë procedurat për këtë portofol para Krishtlindjeve të vitit 2026.
Një tjetër pjesë e planit prek edhe profesionistët nga vendet jashtë BE-së.
Sipas propozimit, njohja e kualifikimeve të marra jashtë Bashkimit Europian, që aktualisht mund të zgjasë mesatarisht 14 muaj, synohet të ulet në rreth 4 muaj.
Kjo mund të lehtësojë punësimin e profesionistëve nga vendet e treta, megjithëse shtetet anëtare do të vazhdojnë të kenë kontrollin për hyrjen, qëndrimin dhe kushtet e ushtrimit të profesionit.