AKTUALITET, 22 September 2026, 19:27

Komiteti i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri me deklaratë: Kërkohet forcimi i shtetit të së drejtës dhe pavarësia e SPAK! Mbrojtje lirisë se medias nga presionet politike dhe ekonomike  

Komiteti i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri me deklaratë:

Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri ka përfunduar takimin e 22-të në Tiranë, duke vendosur theksin te procesi i integrimit evropian, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Komiteti diskutoi edhe rezultatet e strukturave të posaçme kundër korrupsionit, përfshirë SPAK, duke bërë thirrje për ruajtjen e pavarësisë së tyre.

Në deklaratë theksohet gjithashtu nevoja për forcimin e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, si dhe mbrojtjen e gazetarëve nga presionet politike dhe ekonomike.

“Ramë dakord për nevojën e vazhdimit të përpjekjeve për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të medias në vend, përfshirë mbrojtjen e gazetarëve nga presionet politike dhe ekonomike, pasi këto janë thelbësore për forcimin e demokracisë në Shqipëri.

Diskutuam rezultatet e arritura nga strukturat e posaçme kundër korrupsionit, përfshirë Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe bëmë thirrje për qëndrueshmërinë e pavarësisë së tyre”,thuhet ne deklarate.

Përfaqësuesit e dy parlamenteve nënvizuan rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit dhe u bënë thirrje si shumicës, ashtu edhe opozitës, që të vijojnë bashkëpunimin dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë për çështjen e integrimit europian.

DEKLARATË E BASHKË-KRYETARËVE

Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian – Shqipëri (SAPC) mbajti në Tiranë takimin e tij të njëzetë e dytë më 21 shtator 2026, të bashkëdrejtuar nga z. Marco TARQUINIO, në emër te Delegacionit të Parlamentit Evropian, dhe z. Taulant BALLA, në emër të Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë.

Shkëmbeu pikëpamje me:

T.Z. Niko PELESHI, Kryetar i Kuvendit te Shqipërisë
Megi FINO, Zëvendës Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, në emër të Qeverisë së Shqipërisë.

Ambasadorja në Shqipëri, Ciara O’FLOINN, në emër te Presidencës Irlandeze në detyrë të Këshillit
Ambasadorja e BE-së Sofia MOREIRA DE SOUSA, në emër të Komisionit dhe të EEAS

Anëtarët e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri adresuan rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE; shtetin e së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; ekonominë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm; të drejtat themelore dhe lirinë e medias, si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal.

Në veçanti, përshëndetëm angazhimin politik të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, i cili është thelbësor për përparimin e vendit dhe pasqyron konsensusin e gjerë dhe të qëndrueshëm kombëtar, të mbështetur nga qytetarët dhe partitë politike. 

Anëtarët e të dy delegacioneve përshëndetën gjithashtu hapjen me sukses nga Shqipëria, në një periudhë rekord, të negociatave për të gjashtë grupkapitujt e acquis-së së BE-së, si dhe mbylljen e përkohshme të tre kapitujve negociues.

Në mënyrë të veçantë, evidentuam ambicien e vendit për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit, duke pasur parasysh synimin strategjik për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Diskutimet tona u përqendruan tek përfundimet e Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025 dhe të Raportit të vitit 2026 për Shtetin e së Drejtës, në Rezolutën e Parlamentit Evropian të 17 qershorit 2026, e cila gëzoi mbështetje të gjerë nga eurodeputetët, si dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve parlamentare.

Nxisim institucionet shqiptare të zbatojnë rekomandimet e parashtruara në këto dokumente, për të ruajtur momentumin ndërsa vendi i afrohet arritjes historike të anëtarësimit të plotë në BE.

Diskutimet tona u përqendruan në rolin aktiv dhe të pazëvendësueshëm të Kuvendit të Shqipërisë në përpjekjet e vendit për anëtarësimin në BE. Anëtarët e Parlamentit Evropian inkurajuan fort si shumicën, ashtu edhe opozitën – duke respektuar plotësisht diversitetin e qëndrimeve politike – që të vijojnë të investojnë në forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe të besimit të ndërsjellë për këtë çështje me interes kombëtar. Gjithashtu folëm për Forumin e Qytetarëve, që u zhvillua në Tiranë më 19 dhe 20 shtator dhe mblodhi 50 qytetarë për të diskutuar mbi përfitimet dhe sfidat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe mbi përfshirjen e qytetarëve në këtë proces. Marrim në konsideratë rekomandimet për të cilat ata ranë dakord.

U vlerësua përafrimi i plotë i Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht në reagimin e saj ndaj sfidave globale, përfshirë vendosjen e sanksioneve dhe mbështetjen e përpjekjeve ndërkombëtare.

Diskutimet u përqendruan më tej në zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, e cila ka forcuar pavarësinë, transparencën dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor, si dhe ka kontribuar në përmirësimin e shtetit të së drejtës në vend. Diskutuam nevojën për plotësimin e vendeve vakante në sistemin gjyqësor dhe reduktimin e numrit të çështjeve të prapambetura, si dhe rëndësinë e shmangies së çdo ndërhyrjeje politike në emërimet dhe ngritjet në detyrë në sistemin gjyqësor, duke respektuar standardet ndërkombëtare për të garantuar një gjyqësor plotësisht të pavarur dhe efikas.

Diskutuam rezultatet e arritura nga strukturat e posaçme kundër korrupsionit, përfshirë Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe bëmë thirrje për qëndrueshmërinë e pavarësisë së tyre.

Ramë dakord për nevojën e vazhdimit të përpjekjeve për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të medias në vend, përfshirë mbrojtjen e gazetarëve nga presionet politike dhe ekonomike, pasi këto janë thelbësore për forcimin e demokracisë në Shqipëri.

Diskutuam – edhe gjatë vizitës në Vlorë dhe Zvërnec – zhvillimin pozitiv të sektorit të turizmit në Shqipëri, si një faktor kyç që nxit zhvillimin ekonomik, duke mbajtur parasysh detyrimin e Shqipërisë për të përafruar legjislacionin e saj mjedisor me acquis-në e BE-së (Kapitulli i 27-të), veçanërisht për sa u përket zonave të mbrojtura me vlerë të njohur ekologjike.

Lidershipi i Shqipërisë dhe ndikimi i saj pozitiv në stabilitetin rajonal, si dhe angazhimi për nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, ishte një temë e rëndësishme e diskutimeve tona. Gjithashtu, analizuam angazhimin proaktiv të Shqipërisë në nismat e bashkëpunimit rajonal, si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Procesi i Berlinit, të cilat përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Mbledhja e ardhshme e 23-të e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri do të zhvillohet në Parlamentin Evropian, në pranverën e ardhshme.