AKTUALITET, 31 October 2026, 20:40

Protestuesit refuzuan militantët e PD/ Reagon Berisha: Ramës i dështuan përpjekjet për përçarje! Kryedemokrati thirrje: Protesta ka nevojë për mbështetje

Protestuesit refuzuan militantët e PD/ Reagon Berisha: Ramës i

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përpjekje për të krijuar përçarje mes protestuesve.

Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se përpjekjet për të përçarë protestën janë nxitur nga kryeministri Rama, si dhe nga persona që, sipas tij, janë angazhuar nga policia. Ai përmendi edhe aktivistin Arlind Qori, duke kritikuar qëndrimet e tij gjatë protestës.

Berisha shprehu mbështetjen për studentët dhe gjimnazistët që morën pjesë në tubim, duke vlerësuar angazhimin e tyre dhe duke i cilësuar protestat si një reagim kundër qeverisë.

Ai përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila sipas tij do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve dhe forcave politike që t'i bashkohen protestave studentore, pavarësisht dallimeve politike dhe programore.

Gjatë reagimit, Berisha dënoi gjithashtu ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të studentëve të shoqëruar në komisariate.

Në përfundim, ai u bëri thirrje efektivëve të policisë që të mos përdorin forcën ndaj protestuesve dhe të mbështesin kërkesat e tyre.

Reagimi i plotë:

“Tirana përjetoi sot një ditë tjetër terrori, dhune të falangave të narkoshtetit në mbrojtje të kreut të organizatës kriminale, padrinos dhe zyrtarëve të tij. trimëria, guximi, vendosmëria e studentëve të revoltuar dhe gjimnazistëve mposhti në të gjitha rastet sulmet e egra të narkobanditëve që u përpoqën të shtypin me dhunë protestën. Ndaj, dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë gjimnazistët që me guximin, kurajnë, vendosmërinë e tyre, arritën sot të jenë de facto zotërit e vërtetë të Tiranës.

I treguan sot regjimit se dorëheqja e Edi Ramës është kusht i të gjitha kushteve për një kapitull të ri në paqen sociale të vendi, për krijimin e një qeverie kujdestare në mënyrë që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ftoj të gjithë qytetarët, forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore me qëllimin e largimit të padrinos dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve, me qëllim të bëjnë të mundur shqiptarët të zgjedhin me votën e tyre më të mirët që ata mendojnë.

Sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme. Ata të cilët si puna e Qorit të tij që deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar, ata janë Jago të revoltës studentore. Studentët e revoltuar, gjimnazistët i kanë prerë biletën Edi Ramës. Në këtë përpjekje pati edhe mjeranë të angazhuar nga policia kriminale, por që të gjithë morën përgjigjen e merituar. Edi Rama me puthadorët e tij, dështoi të përçajë protestën. Protesta studentore ka nevojë jetike, të madhe të mbështetet nga të gjithë ata që besojnë se Rama është një e keqe e madhe në këtë vend që duhet të largohet menjëherë.

Pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kenë njëri me tjetrin, pavarësisht nga programet e ndryshme që mund të kenë. Rëndësi kapitale ka që shqiptarët të mund të votojnë të lirë dhe me votën e tyre të zgjedhin më të mirët e të mirëve që ata besojnë.  Dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër policore. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të studentëve të ndaluar në komisariatet e policisë. Dhe ftoj të gjithë ata policë që kanë minimumin e ndërgjegjes kombëtare dhe njerëzore, të hedhin kapelat, të bashkohen me studentët, se studentët po bëjnë një betejë për çdo shqiptar, edhe për policët dhe fëmijët e tyre, që ata të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.  Dhuna e tyre kundër studentëve do t'u rëndojë gjithë jetën në ndërgjegjen e tyre. Ndaj të braktisin narkoshtetin dhe të bashkohen me studentët.