AKTUALITET, 23 July 2026, 09:03

Protesta, rrethohet parlamenti: Deputetë frikacakë! Ambasada amerikane paralajmëron: Kujdes, mund të jetë e dhunshme!

Pas pak Kuvendi mban seancën plenare dhe protestuesit nisën marshimin nga sheshi “Skënderbej” për të shkuar drejt parlamentit. 

Ky i fundit është rrethuar tashmë nga një gardh metalik në një perimetër që shkon nga “Rruga e Elbasanit” te Ministria e Brendshme, një perimetër më i gjerë sesa herët e tjera.

“Deputetë frikacakë”, thërrasin protestuesit.

Ata vijojnë edhe me thirrjet e njohura të protestës si “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit” e “Poshtë qeveria.” “Nuk na përfaqësoni”, janë shprehur protestuesit që kërkojnë paralelisht dorëheqjen dhe arrestimin e kryeministrit Rama.

Ndërkohë ambasada amerikane ka reaguar lidhur me tubimin duke u bërë thirrje qytetarëve të saj të tregojnë kujdes pasi mund të kthehet në protestë të dhunshme.

“Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thotë ambasada duke kërkuar që të shmangen zonat e tubimit.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë lidhur me protestën e lajmëruar sot përpara Kuvendit. Ambasada thotë se mund të ketë protesta të tjera edhe në vijim ndërsa thekson se pavarësisht se mund të nisin paqësisht, situata ndryshon.

Njëkohësisht, i lajmëron se para dhe pas protestave ka kufizime lëvizjeje dhe masa sigurie të shtuara, ndërsa personelit amerikan i kërkohet të shmangë zonat e tubimit. Në një sërë këshillash të renditura, e para theksohet shmangia e demonstratave nga qytetarët amerikanë.

“Një protestë është planifikuar të zhvillohet përpara ndërtesës së Kuvendit, në Rrugën George Ë. Bush. Kjo protestë lidhet me protestat e natës që vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërmjet Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protestat mund të shtrihen edhe në zona përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve, devijimet e qarkullimit dhe ndërprerjet në trafik priten në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestave. Personeli i qeverisë së Shteteve të Bashkuara këshillohet të shmangë zonat ku zhvillohen protestat.

Forconi masat për sigurinë tuaj duke ndjekur këto këshilla:

Veprimet që duhen ndërmarrë:
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin demonstratat.
Qëndroni të vetëdijshëm për mjedisin që ju rrethon.
Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve, kur ndodheni në vende publike.
Ndiqni mediat lokale për përditësime.
Gjithmonë keni një plan emergjence ose një strategji për t'u larguar në rast nevoje.
Mbani një profil të ulët dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes”, thuhet në njoftimin e ambasadës.