AKTUALITET, 17 October 2026, 11:42

“Nuk mbaj mend asgjë, nuk e di më ku më dhemb”/ Flet 21-vjeçari i lënduar gjatë protestës, motra: E mbajtën 3 orë në komisariat para se ta dërgonin në spital

“Nuk mbaj mend asgjë, nuk e di më ku më dhemb”/ Flet

Muhamet Skana, 21-vjeçari që u godit nga efektivët e Policisë gjatë protestës, ndodhet në gjendje të stabilizuar dhe vijon të jetë i shtruar në Spitalin e Traumës. I riu ka pësuar fraktura të rënda në kokë dhe në shtyllën kurrizore, si dhe hematoma në pjesë të ndryshme të trupit.

Në një intervistë për Syri TV, Skana ka treguar për dhimbjet që po përjeton pas ngjarjes, ndërsa shprehet se nuk mban mend momentet kur është dhunuar. Ai thotë se pamjet filmike të momentit kur është goditur i shkaktojnë ankth dhe e bëjnë të ndihet edhe më i traumatizuar.

"Shpresoj që skam gjë. Më dhimbte shumë. Isha i trullosur, nuk mbaj mend, vetëm jam larguar të mos më kapnin, se nuk po dija më çfarë të bëja. Nuk më kujtohet asgjë fare. Nuk e mbaj mend çfarë ka ndodhur aty fare. E kam parë tani atë videon e momentit që më goditën, por më shkakton më shumë ankth. Ndjehem edhe më shumë i traumatizuar kur shoh veten në atë gjendje. Më dhemb pjesa e kurrizit, nuk di ta shpjegoj çfarë kam, me dhemb në fund të shpinës fort, edhe koka, edhe këmbët krahët, nuk e dij më ku më dhemb” u shpreh Muhamet Skana.

Sipas raportimit, pas ngjarjes, 21-vjeçari nuk u dërgua menjëherë në spital, por u mbajt për rreth tre orë në ambientet e komisariatit, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore. Familjarët e tij kanë ndërhyrë për të kërkuar ndihmë mjekësore dhe kanë insistuar që ai të transportohej në spital.

Motra e të riut ka rrëfyer se ambulanca është thirrur nga familjarët dhe ka mbërritur në komisariat, ndërsa ka ngritur shqetësimin për vonesën në marrjen e ndihmës mjekësore.

“E kanë çuar në komisariat, e kanë mbajtur për 3 orë. Dhe ambulance ka ardhur në komisariat. E kemi kërkuar ne ambulancën që ka ardhur në komisariat. E kanë mbajtur në Komisariat, edhe këtu e kanë shoqëruar me policë, ishin policët deri në orën 8-9 deri sa hoqën dorë. Fat që nuk ka patur dëmtim tjetër, se për 3 orë që e kanë mbajtur në komisariat mund të kishte mbetur atje. Ka qenë mrekulli e ka ruajtur zoti” tha e motra e Muhamet Skanës.

Sipas familjarëve, edhe pas dërgimit në Spitalin e Traumës, i riu është mbajtur nën vëzhgimin e efektivëve të policisë, të cilët qëndronin te dera e dhomës së tij për shkak të masës së shoqërimit.

Ndërkohë, Muhamet Skana vijon të marrë trajtim mjekësor për dëmtimet e pësuara, ndërsa rrëfimi i tij dhe ai i familjarëve ngrejnë pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar pas ngjarjes dhe kohën që ka kaluar pa marrë ndihmë spitalore.