TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Me dhjetëra qytetarë janë mbledhur sërish në protestë në Vlorë, kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik, i cili është planifikuar të ndërtohet në lagjen “Muradije”, në qendrën historike të qytetit.
Gjatë tubimit janë shënuar momente tensioni dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë, pasi qytetarët kanë kërkuar të rrëzojnë rrethimin e kantierit dhe të futen brenda tij, por janë penguar nga efektivët.
Mes protestuesve dhe forcave të rendit ka pasur shtyrje dhe përleshje. Ndërkohë, policia ka tentuar të shoqërojë në komisariat njërin prej protestuesve, por qytetarët e tjerë kanë ndërhyrë, duke mos lejuar shoqërimin e tij.
Protestuesit kundërshtojnë ndërtimin e Muzeut Hebraik në këtë zonë, ndërsa gjatë tubimit forcat e Policisë kanë ndërhyrë për të shpërndarë të pranishmit.
Protesta e sotme vjen një ditë pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë pranoi kërkesën për sigurimin e padisë, duke vendosur pezullimin e punimeve për ndërtimin e Muzeut Hebraik, në monumentin pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria” në Vlorë.
Padia ishte paraqitur nga përfaqësuesit e nismës për mbrojtjen e monumentit dhe nga persona që kanë kundërshtuar ndërhyrjet pranë tij. Po ashtu, 1034 qytetarë kanë firmosur një peticion kundër punimeve për ndërtimin e Muzeut Hebraik.
Në Vlorë janë zhvilluar edhe disa protesta të tjera kundër këtij projekti, gjatë të cilave janë shënuar edhe më herët përplasje mes protestuesve dhe Policisë.