AKTUALITET, 17 October 2026, 10:04

Protestat e dhunshme/ Rama: Do të ndihmojmë bizneset e vogla të dëmtuara, hapet dritarja në e-Albania për deklarimin e dëmeve, 10 grupe të Tatimeve në terren (VIDEO)

Protestat e dhunshme/ Rama: Do të ndihmojmë bizneset e vogla të

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria do t’u vijë në ndihmë të gjitha bizneseve të vogla që janë dëmtuar gjatë protestave të dhunshme. Sipas tij, në platformën e-Albania është hapur një dritare e posaçme, përmes së cilës bizneset mund të deklarojnë dëmet e pësuara.

Rama bëri të ditur gjithashtu se 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të dalin në terren për të mbledhur të dhënat dhe për të verifikuar dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve të vogla në kryeqytet.

“Po bëjmë verifikime. Kemi bërë gati një dritare që do të shfaqet tek e-Albania, ku do të mund të regjistroheni duke futur të gjitha të dhënat: emër, mbiemër, identitetin dhe NIPT-in. Pastaj e-mailin, numrin e celularit, të dhëna si sipërfaqja, kompania e sigurimit, parashikimi i dëmit dhe më pas do të ngarkoni dokumentet, që janë pamjet, bashkë me faturat. Do të shikohet edhe raporti me shtetin sa i përket pagesave të detyrimeve. Pasi të bëjmë verifikimet, do të mbledhim një regjistër të të gjitha dëmeve. Ne do t’ju vijmë në ndihmë të gjithëve.

Çdo biznes që është dëmtuar nga vala e dhunës së verbër ka një dritare ku do të mund të regjistrojë dëmin. Siç u thashë miqve të dëmtuar në këtë biznes të vogël, 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël në kryeqytet. Do t’i kthejmë gërmadhat e verbërisë në shembuj të forcës.

I respektojmë studentët, i çmojmë si shtysën për të ecur më shpejt përpara. Zëri i tyre dhe i çdo të riu duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta për të protestuar duhet dhe do të mbrohet si një e drejtë për të cilën ne të gjithë kemi luftuar në kohë të ndryshme. S’do të lejoj askënd dhe asgjë të rrezikojë të ardhmen e këtij vendi", tha Rama.

Si do të bëhet deklarimi i dëmeve?

Bizneset e vogla të dëmtuara do të mund të regjistrojnë të dhënat e tyre përmes dritares së posaçme në e-Albania. Sipas njoftimit të kryeministrit, aplikimi do të përfshijë të dhënat e identifikimit të subjektit, NIPT-in, adresën e emailit, numrin e telefonit, sipërfaqen, kompaninë e sigurimit dhe parashikimin e dëmit.

Gjithashtu, bizneset do të duhet të ngarkojnë dokumentet përkatëse, përfshirë pamjet e dëmeve dhe faturat. Gjatë procesit do të shqyrtohet edhe raporti i bizneseve me shtetin sa u përket pagesave të detyrimeve.

Pas përfundimit të verifikimeve, do të krijohet një regjistër i të gjitha dëmeve të evidentuara, ndërsa qeveria synon t’u vijë në ndihmë bizneseve të prekura.

Në deklaratën e tij, Rama u ndal edhe te studentët dhe e drejta për të protestuar, duke theksuar se zëri i të rinjve do të dëgjohet me respekt dhe se e drejta për protestë do të mbrohet. Ai shtoi se nuk do të lejojë që askush apo asgjë të rrezikojë të ardhmen e vendit.