BOTA, 31 October 2026, 12:16

“Norvegjia është kthyer në një vend haleje”- Trump shkakton polemika, agjencia e turizmit i përgjigjet me një fushatë ironike: Kemi tualetet më të bukura në botë

“Norvegjia është kthyer në një vend haleje”-

Deklarata e presidentit amerikan Donald Trump, i cili gjatë një tubimi politik në Michigan u shpreh se “Norvegjia është kthyer në një vend haleje”, ka shkaktuar reagime në vendin skandinav. Por, në vend që t'i përgjigjej me tone të ashpra, agjencia shtetërore e turizmit, Visit Norway, vendosi ta kthejë fyerjen në një fushatë promovuese me nota humori.

Agjencia publikoi një guidë me disa prej tualeteve publike më spektakolare të Norvegjisë, duke e shoqëruar me sloganin ironik: “Norway makes shithouses great again” (Norvegjia i bën sërish të mëdha tualetet).

“Dëgjuam disa zhurma për një ‘vend haleje’. Çfarë mund të themi? Ne kemi disa prej tualeteve më të bukura dhe spektakolare në botë”, shkroi Visit Norway në rrjetet sociale.

Në guidën e publikuar përfshihet tualeti panoramik në Stegastein, i ndërtuar në buzë të një shkëmbi dhe që ofron pamje mbresëlënëse nga fjordi Aurlandsfjord. Një tjetër atraksion është edhe i ashtuquajturi “Tualeti i Artë”, në ishullin Senja, i cili është kthyer në një ndalesë të veçantë për turistët.

Evgenia Egorova, pjesë e ekipit të Visit Norway, shpjegoi se ideja lindi nga dëshira për ta shndërruar një deklaratë fyese në një mundësi promovimi për vendin.

“Kur jeta të jep limona, ose citime të tilla, ti bën limonadë dhe përmbajtje virale”, u shpreh ajo.

Egorova bëri të ditur se ekipi kishte përgatitur më herët materiale të ngjashme me rastin e Ditës Botërore të Tualeteve, ndaj vendosi t'i ripërdorte pas deklaratave të Trump. Ajo theksoi se reagimi i publikut ka qenë jashtëzakonisht pozitiv.

Ndërkohë, përplasja vjen në një periudhë kur Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht Norvegjinë dhe Komitetin Nobel, për shkak të pakënaqësisë së tij që nuk është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen.

Kështu, ajo që nisi si një deklaratë fyese nga presidenti amerikan është kthyer në një fushatë të pazakontë turistike, përmes së cilës Norvegjia ka zgjedhur t'i përgjigjet kritikave me humor dhe kreativitet.