TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dhjetëra mijëra të rinj gjermanë pritet të protestojnë këtë të shtunë në rreth 30 qytete të vendit, në kuadër të një vale demonstratash që po përhapet në Evropë. Të udhëhequr nga Gjenerata Z, protestuesit akuzojnë elitat politike se po shpërfillin shqetësimet dhe kërkesat e brezit të ri.
Nga Franca në Itali dhe Spanjë, të rinjtë kanë dalë në rrugë gjatë javëve të fundit për të kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet. Në disa raste, demonstratat kanë përfunduar në akte të rënda dhune.
Në Gjermani, rreth 150 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në protestat e së shtunës, të cilat do të zhvillohen në rreth 30 qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin dhe Këlnin. Organizatore është lëvizja “GenZ regelt!” (Gjenerata Z merr situatën në dorë).
Ndonëse organizatorët kanë deklaruar se kundërshtojnë çdo formë dhune, autoritetet gjermane kanë marrë masa të shtuara sigurie, duke angazhuar mijëra efektivë policie. Për shkak të frikës nga grabitjet e mundshme, disa dyqane luksoze, veçanërisht bizhuteritë dhe dyqanet e veshjeve, kanë mbuluar vitrinat me dërrasa.
Pakënaqësitë e protestuesve lidhen kryesisht me rritjen e kostos së jetesës, gjendjen e dobët të shkollave, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe politikat qeveritare, të cilat, sipas tyre, nuk marrin parasysh interesat e të rinjve. Ata kundërshtojnë gjithashtu shkurtimet në arsim, kulturë dhe shëndetësi, ndërsa kritikojnë përfitimet e korporatave të mëdha dhe rritjen e shpenzimeve për armatimin.
Një tjetër çështje që ka nxitur pakënaqësi është plani i Gjermanisë për të forcuar ushtrinë përmes një modeli të ri shërbimi vullnetar. Të rinjtë shprehin frikën se kjo nismë mund të hapë rrugën për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Autoritetet janë veçanërisht të shqetësuara për mundësinë e incidenteve, pasi protestat përkojnë me festën e Halloween-it dhe zhvillohen në një kohë kur disa vende evropiane janë përballur me trazira të dhunshme.
Në Francë, demonstratat mbarëkombëtare të 17 tetorit degjeneruan në disa nga trazirat më të rënda të viteve të fundit. Ndërkohë, Berlini është në kontakt me autoritetet franceze dhe italiane, për shkak të shqetësimeve se grupe radikale nga jashtë mund të përpiqen t'u bashkohen protestave në Gjermani.
Ministria e Brendshme gjermane ka theksuar rëndësinë e dallimit mes protestave paqësore të studentëve dhe grupeve ekstremiste të dhunshme që mund të tentojnë të marrin nën kontroll demonstratat. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani nuk kanë prova për plane konkrete dhune.
Nga ana tjetër, organizatorët e lëvizjes “GenZ regelt!” kanë distancuar protestat e tyre nga ekstremizmi, duke deklaruar se grupet ekstremiste, simbolet antikushtetuese, racizmi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në lëvizjen e tyre.
Eksperti i lëvizjeve protestuese, Christian Volk, nga Universiteti Humboldt i Berlinit, vlerëson se në Gjermani po krijohet një presion i madh, i cili mund të shndërrohet në një lëvizje të rëndësishme protestuese.
Sipas tij, të rinjtë kërkojnë që përvojat dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen të merren në konsideratë dhe të dëgjohen nga politika. Megjithatë, ai thekson se Gjermania ka një traditë të ndryshme nga Franca sa i përket formave më konfrontuese të protestës.