BOTA, 30 October 2026, 17:37

Mes tensioneve me Perëndimin, Putin lëshon paralajmërimin e fortë për Evropën: Jemi gati për luftë, por në fund nuk do të ketë fitues

Mes tensioneve me Perëndimin, Putin lëshon paralajmërimin e

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia është e përgatitur për një luftë të mundshme me Evropën, por ka theksuar se Moska nuk synon një konflikt të tillë. Megjithatë, ai paralajmëroi se në rast të një përballjeje të drejtpërdrejtë mes palëve, nuk do të kishte fitues. Deklaratat e tij u raportuan nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”.

“Shumë njerëz në Evropë flasin për përgatitje për një luftë deri në vitin 2030. A është kjo e drejtë apo jo? Para së gjithash, ne jemi të përgatitur, por nuk duam luftë me Evropën. Nëse disa prej tyre e duan një luftë të tillë, le të përgatiten”, u shpreh Putin.

Kreu i Kremlinit shtoi se vendet perëndimore nuk kanë arritur objektivin e tyre për t'i shkaktuar Rusisë një disfatë strategjike, ndërsa paralajmëroi për pasojat e një përshkallëzimi të mundshëm të konfliktit.

“Dhe nëse gjërat shkojnë shumë larg, nuk do të ketë fitues. Askush të mos e harrojë këtë”, paralajmëroi presidenti rus.

Putin i bëri këto deklarata dje në Moskë, pas një takimi me udhëheqës afrikanë, ku komentoi gjithashtu edhe komunikimet e fundit telefonike me presidentin finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store.

Sipas tij, të dy liderët evropianë e kishin kontaktuar në emër të vendeve të tyre dhe jo në emër të Bashkimit Evropian. Putin tha se ata ishin kritikuar nga disa kryeqytete evropiane për vendimin për të komunikuar me Moskën, por e vlerësoi këtë nismë si të drejtë.

“Ne mbështesim çdo hap që synon rivendosjen e marrëdhënieve të plota dhe normale me vendet evropiane, qoftë me të gjitha ato përmes Bashkimit Evropian, qoftë në marrëdhënie dypalëshe. Le ta bëjnë si të dëshirojnë”, deklaroi Putini.

Një tjetër çështje e trajtuar nga presidenti rus ishte situata në Detin Baltik. Putin tha se Moska nuk kërkon vendosjen e kufizimeve në lundrimin dhe komunikimin detar në këtë zonë.

“A dëshiron dikush që në Detin Baltik të krijohet e njëjta situatë si në Gjirin Persik apo në Ngushticën e Hormuzit?”, pyeti Putini.

“Rusia nuk e dëshiron një situatë të tillë, por do t’i përgjigjet çdo sfide”, shtoi ai.

Deklaratat e presidentit rus vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Moskës dhe vendeve evropiane. Ndërkohë, disa qeveri anëtare të NATO-s kanë paralajmëruar për nevojën e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjes së gatishmërisë përballë një kërcënimi të mundshëm nga Rusia.