TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndërsa në hemisferën tjetër të botës, Kinën e madhe popullore e ka pushtuar frika, ankthi dhe tmerri nga Koronavirusi, në Lindjen e Mesme (Middle East), pikërisht në zemër të saj, në Kairo, i madh dhe i vogël ishin këto ditë në festë.
Deputeti ynë i njohur, poeti, piktori dhe shkrimtari vlonjato-vjenez, Fate Velaj, krijoi një festë popullore në mbarë Kairon, duke promovuar librin e tij në gjuhën arabike, "NILKON- Kur Danubi takoi Nilin".
Përpara promovimit, Fate Velajn e priti qysh në Bulevard, ambasadori i Austrisë në Kairo, Dr. Georg Stillfried. Theksojmë, se kurrë më parë, nuk kishte ndodhur që ambasadori i Austrisë në Kairo, të priste njerëz që në Bulevard, na njofton vetë Fatja.
Pasi hynë në Ambasadën Austriake, ambasadori Stillfried, tha këto fjalë: "Ky libër është një nga ndihmesat më të mëdha politiko-kulturore austriake dhe europiane në Egjipt e në botën arabe" dhe se, "Në hapjen e panairit të librit, ambasada e Austrisë bleu 100 copë të romanit NILKON - kur Danubi takoi Nilin".
Në promovimin e librit morën pjesë, banorë të kryeqytetit Kairo, të mëdhenj e të vegjël, burra dhe gra me shami dhe me burka. Nga Dubai kishte ardhur në promovim edhe Vasil Kallupi, i njohur si Vasili i Vienës, i cili në këto muaj është islamizuar dhe e ka si përgjegjësi të ndjekë çdo event fetar dhe artistik në botën arabe.
Për shkak të rëndësisë së Fates, si ligjvënës në Shqipëri dhe krijues në arenën ndërkombëtare, në promovim morën pjesë edhe shtetarë të Egjiptit dhe trupa diplomatike e akredituar në këtë vend.
Sikurse na njofton vetë Fatja, në emër të shtetit të Kairos, foli Dr. Sherif Abdel Hamid, drejtor për Mardhëniet me Jashtë në Zyrën e Guvernatorit të Kairos, i cili mes të tjerash tha "... Nëse Ministria jonë e Punëve të Jashtme punon 24 orë në ditë për vite e vite, dhe nëse Ministria e Turizmit për vite me radhë ka publikuar mijëra e mijëra faqe reklama, për të treguar fytyrën e reale dhe të këndshme të Egjiptit, jam mëse i sigurt, se ata kurrë nuk do të arrijnë të kapin esencën e romanit "NILKON - kur Danubi takoi Nilin" me të cilin, Fate Velaj, mjeshtërisht, i adresohet Perëndimit, me një rrëfim mbi Egjiptin, Egjiptianët dhe lidhjet e tyre mijëravjeçare me Europën. Ju faleminderit Zoti Velaj!"
Njoftojmë mbarë botën shqiptare, se fatkeqësisht, në këtë ceremoni madhështore, nuk mori pjesë kryetari i OSBE-së, artisti dhe piktori i njohur Edi Rama, për shkak të angazhimeve elitare, për zgjidhjen e halleve të botës, që kontrollon OSBE-ja.
Në fund të promovimit, Fate Velaj, u premtoi gjithë banorëve të Kairos dhe blerësve të librit të tij, se ai do të rikthehej shumë shpejt në Kairo, për të botuar në gjuhën arabike, librin e Blendi Fevziut "Tirana e Nonës" dhe pas kësaj librin "Kairo i Nonës", të cilin do ta shkruajë Fatja, me Fevziun bashkë.
Më poshtë shihni në foto, si përthithet dhe rrëmbehet libri i Fate Velajt nga banorët kairojanë.
/TPZ.al/Tej e Këtej/