TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministrja e Shtetit për Mardhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, sapo Edi Rama, caktoi Arben Ahmetajn Ministër pa portofol, të Rindërtimit dhe të Shtetit, ministri që do të mbushë thesin me ndihma, pas rënies së tërmetit, i telefonoi e para dhe i tha këto fjalë:
- Urime, Arben i dashur! Ti je njeriu më me fat në botë, që të ringriti dhe të ricikloi tërmeti! Ky tërmet i tmerrshëm, që na lemeriti të gjithëve, që s'la gjë pa rrënuar, duket sikur erdhi për të të ringritur vetëm ty.
Unë dhe ti, jemi njëlloj i dashur Arben! Të dy Ministra Shteti, me portofole zyrtarisht jo dhe aq të majme, por ne të dy, kemi kontrolluar dhe drejtuar doganat, tatimet, kemi vërtitur nëpër duar, paranë më të madhe të këtij vendi. Edhe njëherë, urime nga zemra Arben!
Shumë gojë të liga duan të thonë që ti tani, vetëm formalisht je ministër pa portofol, Ministër i Shtetit, por në fakt i dashur Arben, ti je ministër i thesit!
Le t'i bien këmbës dhe të thonë ç'të duan. Sa të jetë lideri në këtë vend edhe shteti edhe thesi, do të jenë në anën tonë dhe të Skënderbeut...
- Të falenderoj shumë Elisa, për urimet! Bashkë i kemi të gjitha. Ne të dy kemi punuar në institucione me risk më të lartë se risku që krijojnë tërmetet. Gjithë paraja dhe malli i këtij vendi ka lëvizur nëpër duart, këmbët dhe trupat tanë. Kemi patur akuza të panumërta. Shpesh na kanë thënë, që ne të dy, kemi patur dhe kemi shumë dorë, Elisa.
- Në ç'kuptim dorë, Arben, se duar kanë të gjithë njerëzit e kësaj bote?
- Ne jugorët e Shqipërisë, përfshirë këtu edhe distriktin ku ke lindur ti, e përdorim shumë si metaforë këtë fjalë. Ka dorë themi, filani, ose ka shumë dorë themi, filanka. Domethënë, ka dorë do të thotë kur njerëzit menaxhojnë, grumbullojnë dhe rrethohen nga një para që i ndjek këmba këmbës.
- Uaaaa pika, të punosh në furrë buke dhe të mos hash një kafshatë, ç'domethënë kjo?!
Po mirë i dashur, t'i lëmë këto gjërat e vogla, ke menduar për këtë rindërtimin?
- Sa të jetë Skënderbeu, siç i thua ti, jo vetëm nuk ka nevojë, por nuk kemi as të drejtë të mendojmë. Detyra ndaj vendit dhe Skënderbeu na kanë thirrur Elisë, jo që të lodhim mendjen. Sapo fillova të mendoj vitin e fundit si ministër, më shkriu të gjallë. Ç'të të them Elisa? Skënderbeu i di të gjitha. Unë një copë tigri i vogël jam. Ai mendon, ai ndërton, unë vetëm dëgjoj dhe kalkuloj.
- Po si thua Arben, do të mblidhet lek i madh vallë? Ç'mendon ti, se nuhatjen tënde nuk e ka njeri jo vetëm këtu, por as në Ballkan.
- Shumë Elisë, shumë para e madhe do të vijë, e ndjej nga brenda... Hera herës më pushton një zjarrmi e madhe, që më vjen nga brenda jashtë dhe dridhem i gjithi. Shoh vetëm para dhe dridhem, si tërmet dridhem.
- Si tërmet? Uaaaa, ndaj njerëzit që s'na duan, kanë filluar të thonë, që po ta dinte tërmeti, që Skënderbeu do të caktonte ty ministër rindërtimi, do të trembej dhe nuk do të vinte fare në këtë tokë.
- Nuk ka tërmet që të na shkund Elisë, do ta shohësh. Skënderbeu do të mbetet i kënaqur. Edhe offshoret do të gëzohen nga ky tërmet, se s'kemi ku ti fusim gjithë këto ndihma Elisë. Ti e dëgjove Skënderbeun, që i ndaloi ndihmat materiale, se nuk kemi magazina, pranohet vetëm valutë. Edhe sulltani, Erdogani, që kërkon të ndërtojë 500 shtëpi, mund ta kthejë mendjen dhe të na japë valutë. Na duhej ky tërmet Elisë, ky i mbulon të gjithë tërmetet e mëdha, që kemi shkaktuar në gjithë këto vite!
- Tigër je Arben, super tigër! Vetëm ti di dhe mund të fitosh nga tërmeti. Je i pari dhe i vetmi. Të njeh Skënderbeu, ndaj të ktheu...
- Edhe ti një tigreshë je o Elisë! Vetëm mos u fut në mendime, më kupton? E kam mësuar dhe pësuar në shpinën time, që mendimi të vret. Le ta lëmë Skënderbeun të mendojë, ne kemi punë të tjera, - tha ministri i rindërtimit dhe mbylli telefonin.
/TPZ.al/Tej e këtej/