TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një lajm shumë i rëndësishëm, doli nga Republika Popullore e Kinës dhe si një grip i mirë u përhap anë e kënd botës shqiptare dhe në fund erdhi dhe u ndal në Shqipëri.
Selim Belortaja, ambasadori ynë në Kinën e madhe, është shumë mirë edhe me punë edhe me shëndet.
Për të bindur të madh e të vogël, çdo banor të këtij vendi, Selimi ynë, doli vetë nëpër rrugët e Pekinit me një alamet maske, prodhim i ditëve të fundit, posaçërisht për viruset më të rrezikshme që prodhon Kina dhe që i përdorin vetëm nivelet e ambasadorëve dhe elitat kineze.
Pasi bëri një selfie, Selimi ynë e nisi atë menjëherë drejt nesh dhe të gjitha rrjetet e botuan në të njëjtën kohë.
Bashkë me fotografinë, Selimi nisi drejt atdheut tonë edhe një raportim dramatik, për situatën që ka mbjellë gripi vdekjeprurës i Wuhanit.
Këshilla më e vlefshme që ai jep në raportimin e tij, është shmangia e të gjithë kontakteve fizike me Kinën.
Duke dhënë këtë këshillë, ambasadori ynë Selim, na siguron që ky virus nuk përhapet me telefon apo me lloje të tjera valësh.
Nëse situata agravon dhe del jashtë kontrollit, ashtu siç po bëjnë amerikanët me qytetarët e vet edhe për ambasadorin tonë ka menduar lideri i OSBE-së, Edi Rama. Nëse vjen më e keqja, lideri do të urdhërojë edhe tërheqjen (extraction) e Selimit, nga territori i Republikës Popullore të Kinës, direkt në Tiranë. Nëse është mbrëmje dhe në Rinas ka mjegull, avioni do ta rrotullojë Selimin bashkë me maskën, një orë e gjysmë mbi Tiranë dhe do ta ulë për një pushim të shkurtër në Brindisi, derisa të largohet mjegulla.
PS. Lexoni më poshtë, raportimin live të ambasadorit Selim Belortaja nga Kina. Ky material vjen bruto, i pakorrektuar nga redaksia jonë.
"Te dashur miq e bashkekombas kudo ku jeni. Siç e dini Kina po kalon nje situate dramatike. Coronavirusi jo vetëm po merr jetë njerëzish por për shkak të potencialit të një rreziku në permasa që mund të imagjinohen, po shtrëngon autoritetet të zbatojnë masa super të rrepta per frenimin e epidemisë, si mbyllje e transportit, superkontroll i lëvizjes se njerëzve, anulim i festimeve e grumbullimeve, si dhe disa shërbimeve publike në disa qytete, tashmë edhe përtej provincës Hubei dhe kryeqendrës Wuhan ku virusi shpërtheu dhe beteja eshte perqendruar. Nr faktik i vdekjeve nuk e shfaq mirë potencialin e rrezikut që është pranuar edhe nga OBSh dhe qe potencialisht mund të agravojë ne ditet ne vijim. Aitoritetet dhe mjekësia ketu po punojne heroikisht. Kêshilloj fort që, derisa situata te merret plotësisht nen kontroll, udhëtimet dhe kontaktet fizike me Kinën ti shtyni për më vonë! Ju lutem informohuni sa më mirë e binduni vetë para se ti hyni nje situate me shume rrezik nga virusi por edhe të papritur per shkak te kontrolleve te pazakonshme", shkruan Selimi.
/TPZ.al/ Tej e këtej/