TEJ E KETEJ, 3 Dhjetor 2019, 12:41

Udhëheqësi iku... Obobo, obobo, obobo, si do të rrijë ky vend me tërmet, pa liderin dhe ERTV-në këto 24 orë?!

Udhëheqësi iku... Obobo, obobo, obobo, si do të rrijë ky

Njeriu që çmendi shqiptarët dhe shkaktoi një erë të padurueshme, me qëndrimin e tij non stop live në çdo ekran, për ditë të tëra, iku...  Lideri suprem, do t'i mungojë vendit 24 orë.

- Nuk do të jem mes jush, sot dhe nesër, - njofton udhëheqësi. Do të jem në NATO, në Londër, me udhëheqësinë botërore, ku do të flas vetëm për ju dhe në kthim do të ulem në Romë, ku do të marrë pjesë në emisionin "Porta a Porta".

Pra lideri ynë iku, për të ndyrë nëpër portat e botës.

Pas emisionit në Romë, udhëheqësi garanton që do të kthehet menjëherë natën, për të vijuar mbledhjet e jashtëzakonshme në Tiranë.

- Mos kini asnjë merak, asnjë sekondë për këto 24 orë, - thotë i plotëfuqishmi në lamtumirën e vet drejt Londrës. Njerëzit që do të takoj atje, do të mendojnë për ju.

- Ju më keni parë mua gjithmonë (përveç këtyre 24 orëve), pa skuadrën e ministrave, duke përballuar këtë furtunë të paparë ankthesh dhe hallesh i vetëm dhe tani do të mbeteni pa fytyrën time.

Në fjalimin e tij  mallëngjyes dhe programatik, udhëheqësi ju shpjegon shqiptarëve, se gjithçka ai e ka përballuar vetë, pa skuadrën e ministrave, por thekson lideri, - pa ju, popullin,  unë nuk do të bëja asgjë!

- Ju lutem, - thotë në fund të mesazhit lideri suprem, këto 24 orë që do të mungoj unë, mos shikoni televizor, mos lexoni portale, sepse këta janë qenefe dixhitale. Këto qenefe bien erë të rëndë.

Udhëheqësi, po i thotë popullit, prisni sa të kthehem unë dhe do të jemi përsëri bashkë, vetëm ju dhe fytyra ime!

Ndiqni videon mallëngjyese të liderit tonë suprem.

/TPZ.al/ Tej e këtej/

VIDEO: