AKTUALITET, 14 July 2026, 17:28

Ministri Salla në Pogradec: 13.8 milionë euro mbështetje për bujqësinë, drejt finalizimit dëmshpërblimet për fermerët e prekur nga përmbytjet

ee972f6932f748748a0f46f08dd86da0.jpg

Bujqësia do të mbështetet me 13.8 milionë euro, u tha ministri Andis Salla fermerëve në një takim në Pogradec. Veç grantit prej 10 mijë eurosh për të rinjtë, po kryhen procedurat që fermerët të marrin 10% të kompensimit të çdo fature që ata kanë shitur gjatë kësaj periudhe.

 “Ai që punon tokën vlerësohet drejtpërdrejt, pa procedura dhe pa asnjë burokraci mund të themi, apo afate të tejzgjatura. Po për çdo gjashtë muaj, siç ne e kemi vendosur në korrik dhe në dhjetor, do të depozitojnë pranë Tatimeve dhe do të marrin 10%-shin në këmbim”, tha Salla.

Ndërkohë qeveria ka përfunduar procedurat ligjore për trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në disa qarqe të vendit, përfshirë Korçën, Maliqin dhe Pogradecin.

“Tashmë jemi në fazën përfundimtare ku, së bashku me Emergjencat Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes, do të kalojmë në procedurën e dëmshpërblimit të tyre. Pra, presim një akt normativ që ne do të kalojmë shumë shpejt besoj, do të kalojmë edhe nëpërmjet mbështetjes apo atë çfarë ne i kemi premtuar fermerëve shqiptarë për mos t'i lënë vetëm dhe për t'i dëmshpërblyer ata”, tha ministri.

Lidhur me dëmet që janë shkaktuar në të mbjella prej karkalecave apo sëmundjeve të tjera, ministria është vënë në lëvizje për të kryer monitorimin me dron, i cili do të zgjerohet.

“Do të marrim edhe dronë të tjerë ku do të mbulojmë gjithë territorin për problematikat e kësaj natyre apo shqetësimet që na lidhin edhe ndër zonat e tjera, siç është edhe zona e Myzeqesë, apo e Lushnjes, apo e të gjithë qarkut të Fierit”, tha Salla.

Gjatë takimit, Salla theksoi interesin e lartë të fermerëve për skemat kombëtare të subvencioneve, ku një numër i konsiderueshëm aplikimesh ka ardhur edhe nga Pogradeci.