AKTUALITET, 12 September 2026, 12:08

Marrëveshja për huanë 302 milionë dollarëshe për mbrojtjen/ Nufi: Konfirmim i besimit të SHBA-së te Shqipëria

Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) ka njoftuar marrëveshjen për një hua direkte prej 302 milionë dollarësh për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të programit të Financimit të Huaj Ushtarak (FMF).

Në njoftimin e saj zyrtar, DSCA ka rikonfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për forcimin e aleancave dhe partneriteteve dypalëshe, të bazuara në respektin reciprok, investimet e përbashkëta dhe prioritetet strategjike.

Lajmi është përshëndetur edhe nga ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, i cili e ka cilësuar marrëveshjen si një zhvillim të rëndësishëm për vendin, duke theksuar se rëndësia e saj shkon përtej shumës prej 302 milionë dollarësh.

“DSCA njofton lajmin e mirë për huanë direkte të Financimit të Huaj Ushtarak me Shtetet e Bashkuara. Konfirmim edhe një herë i SHBA-së i besimit të tyre te Shqipëria, te Aleanca jonë dhe te rruga që kemi zgjedhur për modernizimin e Forcave të Armatosura”, shkruan Nufi.

Sipas ministrit, marrëveshja për huanë direkte në kuadër të FMF-së përbën një investim të rëndësishëm në kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë dhe në aftësinë e vendit për të kontribuar më shumë në sigurinë e përbashkët të NATO-s.

“Marrëveshja për huanë direkte në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak (FMF) është një investim i rëndësishëm në kapacitetet tona mbrojtëse dhe në aftësinë e Shqipërisë për të kontribuar edhe më shumë në sigurinë e përbashkët të NATO-s. Nga Angazhimi i Hagës te NATO 3.0, Shqipëria po e kthen vizionin në kapacitete konkrete”, shprehet ai.

Nufi thekson se marrëveshja nuk duhet parë vetëm si një financim, por si një dëshmi e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ky është më shumë se financim. Është besim, partneritet strategjik dhe investim në sigurinë e së ardhmes”, shkruan ministri i Mbrojtjes.