AKTUALITET, 12 September 2026, 09:44

Drejtonte ambulancën në gjendje të dehur, 44-vjeçari aksidenton të moshuarin dhe e dërgon vetë në spital

Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia pasi, teksa drejtonte një ambulancë nën efektin e alkoolit, ka aksidentuar një të moshuar mbrëmjen e së premtes, në afërsi të bibliotekës së qytetit.

Siç raportohet i moshuari po kalonte rrugën me biçikletë kur është përplasur nga ambulanca. Për pasojë, ai ka mbetur i dëmtuar dhe është transportuar menjëherë në spital, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Sipas informacioneve të para, i moshuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas aksidentit, drejtuesi i ambulancës ka transportuar vetë të dëmtuarin në spital.

Policia i ka kryer testin e alkoolit drejtuesit të ambulancës, të identifikuar me inicialet E.Q., rreth 44 vjeç, dhe rezultati ka konfirmuar se ai ishte nën efektin e alkoolit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, E.Q. është arrestuar dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur dhe shkaktimin e aksidentit.

Grupi hetimor vijon punën për të dokumentuar rrethanat dhe dinamikën e plotë të aksidentit.