TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gentian Çipi është 41-vjeçari nga Korça, i cili u arratis mbrëmjen e 11 shtatorit në mënyrë spektakolare nga Spitali i Përgjithshëm i Serresit në Greqi.
Çipi rezulton me precedent penal në Shqipëri dhe Greqi. Në Shqipëri, ai është dënuar në korrik të vitit 2024 me 2 vjet burgim për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.
Fillimisht, Çipi ishte hetuar nën masën e “Arrestit në burg”, por më pas Gjykata e kishte zbutur masën e sigurimit në “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Garancia pasurore”.
Ai ishte akuzuar për djegien e një automjeti më 24 prill 2023, në lagjen 13, në rrugën “Loni Grazhdani” në Korçë.
Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia e kishte proceduar Gentian Çipin pasi pranë banesës së tij ishin gjetur kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Të shtënat në Selanik
Më 3 shtator 2024, Gentian Çipi dyshohet se hapi zjarr në Pylaia të Selanikut, duke tentuar të vriste një 25-vjeçar grek jashtë një kantine.
I riu grek u qëllua me tre plumba, por arriti t'u mbijetojë plagëve. Pas ngjarjes, Çipi arriti të largohej nga vendi.
Policia greke arriti ta identifikonte dhe, në shtator të vitit 2025, organizoi një operacion për kapjen e tij.
Gjatë operacionit u arrestuan edhe Enea Basholli, 31 vjeç, dhe Kleo Topa, 24 vjeç, të dy nga Korça.
Sipas policisë greke, Gentian Çipi dyshohet se ishte kreu i një grupi kriminal të përfshirë në trafik droge dhe veprime të dhunshme.
Gjatë operacionit për kapjen e tyre në Selanik, Çipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrit të policisë. Ata shtuan shpejtësinë e automjetit me të cilin lëviznin dhe kryen manovra të rrezikshme, duke përplasur edhe një automjet policie.
Dy personat braktisën më pas automjetin dhe u larguan në këmbë, por u kapën nga policia. Pak orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, u arrestua edhe Enea Basholli.
Çfarë iu gjet grupit?
Gjatë kontrolleve të kryera nga policia greke, u gjetën dhe u sekuestruan një kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta, një silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, një pasaportë false, një patentë false, 23 mijë e 350 euro, telefona celularë dhe tre automjete.
Çipi ndodhet tashmë në qendër të një operacioni të gjerë kërkimi në Greqi, pasi u arratis nga spitali i Serresit gjatë transportimit për marrjen e ndihmës mjekësore.
Autoritetet greke vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e 41-vjeçarit, ndërsa po hetohet edhe për identifikimin dhe kapjen e personave që dyshohet se e ndihmuan të arratisej.