AKTUALITET, 30 July 2026, 11:25

Operacioni/ Vjedhje në nëntë subjekte tregtare dhe një automjet, arrestohen dy persona në Lezhë

Dy persona janë arrestuar në Lezhë pas hetimeve për zbardhjen e disa rasteve të vjedhjeve të ndodhura në qytet.

Si rezultat i veprimeve hetimore, janë arrestuar dy persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale të vjedhjes.

Në pranga ka rënë 26-vjeçari E.Uka, banues në Lezhë, me precedent të theksuar penal për vjedhje, i cili ishte shpallur në kërkim. Sipas policisë, ai dyshohet se gjatë muajit korrik 2026 ka vjedhur xhirot ditore në 9 subjekte të ndryshme tregtare në qytetin e Lezhës.

Gjithashtu është arrestuar edhe 39-vjeçari A.Pjetri, banues në Lezhë, i dyshuar për vjedhjen e një iPad-i dhe një çante me sende personale nga një automjet i parkuar.

Sipas njoftimit të policisë, 39-vjeçari u kap në flagrancë, ndërsa në momentin e arrestimit iu gjet iPad-i i vjedhur, të cilin dyshohet se sapo e kishte marrë pas riparimit në një dyqan në Shkodër. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua edhe çanta e vjedhur.

Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.