TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sekretari për të drejtat e njeriut në Partinë Demokratike, Franci Nuri, me anë të një reagimi në rrjetet sociale ka komentuar deklaratat e e ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, të bëra në studion televizive, një ditë më parë!.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, paralajmëroi se forca e ligjit do të veprojë ndaj protestuesve që guxojnë të ngrenë dorë ndaj policisë, apo të sulmojnë institucionet: “Në rast se guxon të ngresh dorë, t’u kundërvihesh punonjësve të policisë, do të të marrin për veshësh, a për leckash, do të të fusin në furgon dhe do të procedojnë, dhe më pas mund të të lënë të lirë, apo të procedojnë nëse ke kryer akte që konsiderohen vepra të caktuara, do procedohesh si çeço. Kjo gjë do të bëhet e qartë për të gjithë njerëzit që s’mund të vazhdojë më kështu, s’mund të përdhosin më institucionet në këtë lloj forme. Nuk kemi ne, edhe po të ishim ne, s’është e drejta e askujt që të vendosë me vetëgjyqësi si në mesjetë, shkallën, fajin, dënimin. Unë tek e tek s’e di kush janë, mund të di podkastin e njërit apo tjetrit”.
Nuri shkruan se, Gonxhja duhet të lërë kërcënimet dhe të bëjë gati mbrojtjen për 4.3 milionë eurot që i dha për Kaney West.
“Blendi Gonxhja nuk është as Ministër i Brendshëm, as Drejtor i Policisë dhe as drejtues i SHISH-it. Është akoma Ministër i Kulturës dhe Turizmit. Është pikërisht ministri që gjeti “shpikjen” juridike për t’i kaluar 4.3 milionë euro me akt normativ nga fondi rezervë, sepse as ligji i turizmit dhe as ligji i kulturës nuk ia mundësonin ta bënte vetë. 4.3 milionë euro pa iu dridhur qerpiku. Për bileta falas për administratën dhe patronazhistët. Për të mbushur një stadium provizor, të ngritur në tokë private, pa transparencë të plotë se kujt i përket, pse u zgjodh pikërisht ai vend dhe kujt i shërbeu e gjithë kjo skemë. Prandaj, lëri kërcënimet ndaj protestuesve! Ata qytetarë që protestojnë prej 60 ditësh, nën vapën përvëluese, janë heronj. Janë qëndrestarë të jashtëzakonshëm të kauzës më të madhe sot: largimit të qeverisë më të korruptuar që Shqipëria ka pasur që nga pavarësia”, shkruan Nuri.
“Mos u trego trim me qytetarët që kërkojnë llogari. Bëj gati mbrojtjen për në SPAK. Kallëzimi i Partisë Demokratike është depozituar prej dy javësh dhe çështja e 4.3 milionë eurove nuk është mbyllur. Kur Partia Demokratike të vijë në pushtet, çdo kontratë, çdo akt dhe çdo vendim i kësaj qeverie do të auditohet nga ekspertë vendas dhe të huaj. Asgjë nuk do të harrohet. Askush nuk do të fshihet pas karriges së pushtetit. Dhe më e rëndësishmja: çdo qindarkë e shqiptarëve do të kërkohet deri në fund”, shtoi Sekretari për të drejtat e njeriut në Partinë Demokratike.